English

KQZ shtyn për nesër diskutimin nëse listat e PS-PD janë të ligjshme

Tiranë, 20 maj, NOA - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtyrë për ditën e nesërme diskutimin në një mbledhje të posaçme të tij, nëse do të vlerësohen si të ligjshme listat me emrat e 140 kandidatëve për në zgjedhjet e 28 qershorit paraqitur nga dy partitë e mëdha, PD dhe PS.

Për këtë arsye, nuk dihet ende qëndrimi që do të mbajë Komisioni Qendror Zgjedhor në lidhje me shkeljen e afateve kohore të dorëzimit të listës së kandidatëve nga Partia Socialiste, pra, nëse do ta pranojë listën e saj apo jo, pasi PS në fakt e shkeli afatin zyrtar të përcaktuar nga KQZ për dorëzimin e saj.

Në rendin e ditës të mbledhjes së sotme të KQZ-së, ishte parashikuar shqyrtimi i projekt-vendimit: "Për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e informacionit për procesin e numërimit të votave për zgjedhjet për Kuvendin 2009" , Shqyrtimi i projekt - vendimit: "Për kohën e transmetimit për partitë politike në TV Publik".

Ndërkaq, Genc Gjonçaj, përfaqësuesi socialist në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, i cili dorëzoi dhe listën e 140 kandidatëve tha se vonesa ishte për "shkaqe teknike". Konkretisht sipas tij vonesat kishin të bënin me plotësimin e dokumentacionit të dosjes së secilit prej kandidatëve për deputetë. n.e/NOA

KOMENTE