Tiranë, 20 maj NOA - Marrin gradën "Nënkomisar" 18 punonjës policie, ceremonia e gradimit të tyre u zhvillua sot në ambientet e Qendrës së Formimit Policor.
Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, Drejtues të Lartë të Policisë së Shtetit si dhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtare që asistojnë në Policinë e Shtetit.
"Sot jam veçanërisht i entuziazmuar, pasi kjo ditë përkon me ditën e parë kur diskriminimi brenda radhëve të policisë merr fund. Sot po merr jetë përfundimisht sistemi i ri i ecjes në karrierë, jo më mbi bazë të përkatësisë rastësore, më së shumti, kur çdokush që hynte në polici si punonjës i nivelit zbatues, ishte i destinuar të pensionohej në këtë nivel, apo kur për shkak të trafikut të influencave, apo çdo lloj tjetër influence të pamoralshme, titulloheshin Oficerë, dhe kapërcenin derën e pakalueshme për në nivelin e parë drejtues, individë pa asnjë meritë individuale" u shpreh kreu i Policisë së Shtetit Prençi. Ndërkohë që në fjalën e tij, Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani u shpreh se "në rrugën drejt anëtarësimit të Shqipërisë në BE-së, Policia e Shtetit ka dhënë kontributin e saj, duke vënën nën kontroll krimin e organizuar, i cili ishte problem në jetën e shqiptarëve".. "Ky status i dedikohet profesionalizimit dhe aftësisë së punonjësve të të gjitha niveleve, nga ai me gradë më të lartë deri tek ai me gradë më të ulët. Është e rëndësishme të theksojmë se sot ju keni përfituar një garë, një trajnim, i cili do ti shërbejë jo vetëm performancës tuaj, por ai do ti shërbejë edhe aftësisë drejtuese. Sot Policia e Shtetit i ka dyert e hapura vetëm mbi bazën e aftësisë, kontributit dhe aftësisë së gjithsecilit që do të ishte i interesuar të punonte në radhët e policisë" u shpreh Nishani. Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani i cilësoi zgjedhjet e 28 Qershorit një provë të rëndësishme për Policinë e Shtetit, e cila vjen me një eksperiencë të konsoliduar, ku Policia e Shtetit ka treguar se ajo është një institucion i distancuar nga debati politik, dhe punën e saj e mbështet vetëm tek ligji. Gradën Nënkomisar e morën 18 punonjës të policisë, të cilët mbanin prej disa vitesh gradën Kryeinspektor.
Në bazë të ligjit të ri për Policinë e Shtetit grada tashmë do të merret vetëm me konkurs, dhe në këtë konkurs duhet të marrin pjesë të gjithë punonjësit e policisë që plotësojnë kushtet e kërkuara nga ligji.
k.k/NOA