English

Ministri i Drejtësisë, Alibeaj në Romë për Kongresin e Komunitetit "Papa Giovanni XXIII"

Romë, 20 maj NOA - Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj ka marrë pjesë sot në Kongresin "Mbi dinjitetin nuk ka diskutime" organizuar nga Komuniteti "Papa Giovanni XXIII" dhe Ministria për Shanse të Barabarta të Republikës Italiane.

Në këtë aktivitet morrin pjesë ministra të qeverisë italiane si Ministri për Shanse të Barabarta Carfagno, Ministri i Drejtësisë Alfano, Ministri i Brendshëm Maroni etj.

Sot në orën 11.30 Alidebaj mbajti fjalimin e tij me temë: "Trafikimi i qenieve njerëzore: eksperienca dhe suksesi" në të cilën foli mbi përvojën shqiptare, mbi mënyrën se qeveria shqiptare është përpjekur ta luftojë trafikimin e qenieve njerëzore si dhe mbi bashkëpunim me qeverinë italiane por edhe aktorë të tjerë ndërkombëtar.

Përpjekjet e qeverisë shqiptare për reduktimin e këtij fenomeni ministri i ilustroi me dhënien e statistikave në vite, të cilat tregojnë qartë synimin madhor të saj krijimin e një modeli shoqërie që ka në themel të saj respektin e duhur për liritë dhe të drejtat themelore të qytetarëve të saj.

Sipas Ministrit, nga 2005 e në vijim është rritur ndjeshëm numri i procedimeve penale për veprat penale të trafikimit të personave, të femrave për prostitucion, të të miturve. Gjykatat shqiptare në vitin 2005 kanë gjykuar 40 raste të tilla, nga të cilat në 26 raste janë aplikuar dënime që variojnë nga 10 deri në 25 vjet burgim dhe në 1 rast është dhënë dënimi maksimal - burgim i përjetshëm.

Në vitin 2006, evidentohet një rënie, por kjo figurë krimi është përsëri ndër më të lartat me 23 raste dënimi, nga të cilat për 12 raste janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim.

Në vitin 2007 rezulton se janë dënuar 10 raste për këtë figurë vepre penale, në 3 raste prej të cilave janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim. Në vitin 2008, janë dënuar 15 raste, në 9 prej të cilave janë aplikuar masa dënimi nga 10 deri në 25 vjet burgim.

"Në vitin 2005 u vunë re shenjat e para pozitive nëpërmjet identifikimit dhe fillimit të sukseshëm të ndjekjes penale nga policia e shtetit për disa grupe dhe organizata të bujshme kriminale, nëpërmjet arrestimit të eksponentëve të tyre dhe sekuestrimit të pasurive të paluajtshme me vlera të mëdha financiare. Kjo periudhë përkon me ardhjen e Qeverisë aktuale në pushtet, e cila shpallte në programin e saj tolerancën zero ndaj krimit, veçanërisht ndaj atij të organizuar" tha gjatw fjalws sw tij Alibeja.

"Këto përpjekje u përkrahën edhe nga autoritetet gjyqësore, të cilat të gjendura edhe nën presionin pozitiv mediatik dhe të publikut, filluan të shqiptonin në masë dënime me burgim në masa të larta, dënime me gjobë në shuma të mëdha dhe konfiskim të pasurive financiare. Në këtë kthesë pozitive ndikoi edhe situata e përmirësuar ligjore, si në drejtim të procedurave, ashtu edhe në drejtim të thelbit të çështjes" shtoi mw tej ministri i Drejtwsisw.

Ai shpjegoi se Kodi Penal shqiptar përmban një seksion të veçantë të emërtuar "Veprat penale kundër moralit dhe dinjitetit", në të cilin parashikohen në mënyrë të plotë format e këtij aktiviteti kriminal, që nga trafikimi i personave, i femrave për prostitucion, i fëmijëve deri tek mbajtja e ambienteve për prostitucion.

Këto vepra penale shoqërohen me dënime kryesore të ashpra kumulative me burgim dhe me gjobë, por edhe me dënime plotësuese të konfiskimit të pasurive.

k.k/NOA

KOMENTE