Tiranë, 20 maj/ NOA - Ministria e Brendshme, i ka dhënë fund çdo lloj përfoljeje dhe përdorjeje me qëllim denigrimi, të emrit të kryetarit të Partisë Socialiste, duke sqaruar zyrtarisht, se emri i tij është Edi Rama.
Prej kohësh, personazhe të njohur të mazhorancës qeverisëse, përfshirë kreun e qeverisë, drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim e personazhe të tjerë, në mënyrë qartësisht tendencioze, e identifikojnë Edi Ramën me emrin Edvin rama.
Një gjë të tillë, e ka mohuar vetëm Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile në Ministrinë e Brendshme.
Duke publikuar të dhënat personale të Edi Ramës, sikundër shihet dhe në faksimile, qartësohet se 45-vjeçari, kryetar i PS, ka ligjërisht emrin Edi Kristaq Rama.
Edi Rama, i lindur më 4 korrik të vitit 1964 në Tiranë, është i regjistruar për të votuar në zgjedhjet e 28 Qershorit 2009, në Njësinë Bashkiake nr 7, tek Instituti i Historisë.
Në rininë e tij, Edi Rama njihej si piktor, basketbollist dhe më tej, pas vitit 1997, hyri në politikë fillimisht si ministër i Kulturës dhe më tej, i zgjedhur direkt nga populli i Tiranës, si kryetar bashkie, duke nisur nga viti 200 dhe në vazhdim.
Bir i Artistit të popullit Kristaq Rama, Edi Rama sikundër shkruhet dhe në fjalorin enciklopedik Wikipedia (Enciklopedia e Lirë), "deri më tani ka siguruar një vend në kujtesën e përbashkët të kombit si një njeri që solli risi në jetën shoqërore shqiptare".
Edi Rama në vitin 2004 fitoi titullin "Ëorld Mayor" duke garuar suksesshëm kundër kryebashkiakut të Romës dhe Athinës dhe rivalit tjetër të Mexico Districto Federal.
Në rivalitetin politik të viteve të fundit, shpesh z. Rama është akuzuar se ka keqpërdorur pozitën e tij gjatë zgjedhjes së firmave tenderuese në punët dhe shërbimet për Tiranën.
Ai akuzohet edhe se ka marrë pjesë në pastrim parash në ndërtime dhe se fondet në dispozicion për Bashkinë e Tiranës kanë qenë në shpërpjesëtim të madh me atë çka i është ofruar bashkive të tjera larg qendrës ose të qeverisura nga parti më të vogla.
e.l/NOA