English

Nano: Rama nuk i fiton zgjedhjet, unë rikthehem në krye të PS

Tiranë, 20 maj/NOA - Kryetari i dorëhequr i partisë Socialiste dhe deputet aktual i saj, Fatos Nano, në një intervistë që i dha televizionit Klan në emisionin "Opinion" të analistit Blendi Fevziu, ka fshikulluar ashpër kreun aktual të PS, Edi Rama duke e paralajmëruar se do t'i humbë zgjedhjet dhe do t'i zërë vendin pas 28 qershorit.

Për Nanon, "në gjendjen e sotme të përçarë, opozita nuk është konkurruese të fitojë zgjedhjet ndaj e ka të pamundur të krijojë mazhorancë".

Nano paralajmëroi se "Partia Socialiste po hyn në zgjedhje në mënyrë kaotike, dhe shumë e demotivuar".

Këtu Nano theksoi se në këto kushte PS s'mund t'i fitojë zgjedhjet e 28 qershorit, që aq shumë aspiron: "Nuk besoj se opozita e sotme është në gjendje të konkurrojë apo fitojë ballafaqimin elektoral", vlerësoi z.Nano, duke përforcuar se "opozita në gjendjen e sotme nuk është në gjendje të krijojë mazhorancë".

Në intervistë, Nano nuk kurseu as akuzat ndaj Edi Ramës, duke deklaruar se ai e grabiti ose bleu Partinë Socialiste. "Partia Socialiste jo vetëm u grabit dhe u ble nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, por dhe u deformua, u degradua, iu fshi kujtesa dhe arkivi i përvojës së saj qeverisëse", - ishte akuza e fortë e Ramës.

Nano foli dhe për listat që u mbajtën goxha të fshehta nga PS dhe kreu i saj Edi Rama: "Kjo që po ndodh me listat e përfaqësuesve të PS në 28 qershor, nuk është i vetmi akt i vërtetë publik i politikës së Ramës.", - u shpreh Nano.

Ai ashpërsoi më tej gjuhën kur tha se "në PS sot ka kaos", duke paralajmëruar se "kjo do të sjellë pështjellim në fushatë".

Ish-kryeministri foli edhe për mundësinë e kandidimit të tij për një tjetër mandat deputeti, duke përjashtuar të jetë kandidat i Partisë Socialiste, ndërsa nuk sqaroi nëse do të ishte i pranishëm aktivisht në fushatë apo në hije sikundër këto katër vitet e fundit.

"Absolutisht nuk e pranoj. Unë e kam refuzuar këtë. Dhe Edi Rama e di shumë mirë që unë do të refuzoja".

Në intervistë, Nano paralajmëroi rikthimin kur tha se nëse Edi Rama humb zgjedhjet ai do të jetë sërish në përpjekje për të marrë kreun e Partisë Socialiste që e la katër vjet më parë, kur, atëherë kryeministër, humbi zgjedhjet parlamentare.

Në këtë pikë, Nano ka përdorur dhe një gjuhë fyerjesh të rënda për kreun e PS dhe pjesëtarë të tjerë të rinj të PS-së aktuale, duke aluduar për ta, deri dhe "orgji personale".

Madje Nano nuk kurseu të përdori as termin "travestit".

e.l/NOA

KOMENTE