English

Numanoviç: Në Bosnjë, marrëveshja e Dejtonit nuk po funksionon

Sead Numanoviç, kryeredaktori i së përditshmes së Sarajevës, Dnevni Avaz i thotë BBC-së se riangazhimi i Amerikës në Bosnjë shihet nga boshnjakët, kroatët dhe një pjesë e serbëve si një shans i ri për të ndryshuar strukturën e Dejtonit që është një marrëveshje jofunksionale.

Si u prit vizita e zotit Biden në Bosnjë?

- Njerëzit janë këtu shumë të lumtur dhe të interesuar në vizitën dhe e shohin atë si një shenjë të gadishmërisë së administratës së re të Obamës dhe të zotit Biden që të angazhohen më shumë në Bosnjë në mënyrë që të përfundojnë punën që filluan në vitin 1995.

Janë shpeshtuar zërat kohët e fundit në Shtetet e Bashkuara që hedhin dyshime mbi Marrëveshjën e Dejtonit të vitit 1995 të cilën madje kanë quajtur si një marrëveshje të shpejtë dhe të pamenduar mirë. Çfarë mendohet për këtë në Bosnjë?

- Varet se me kë bisedon ... Nëse bisedon me serbët ata do të thonë se Marrëveshja e Dejtonit ka qenë një zgjidhje ideale për Bosnjën sepse ajo u garanton atyre një autonomi të cilën në fakt ata e konsiderojnë si pavarësi. Politikanët aktual serbë në Republikën Serbe të Bosnjës janë duke ndjekur politikën e një pavarësie të plotë apo maksimale. Ndërsa në mesin e kroatëve dhe boshnjakëve Dejtoni shihet si një marrëveshje pak më e mirë se sa një armëpushim dhe se ajo nuk është konform sfidave të Bosnjës bashkohore dhe sidomos kur bëhet fjalë për sfidat që dalin në kuadër të përpjekjeve për tu integruar në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Pastaj edhe kushtetuta që del nga Marrëveshja e Dejtonit bllokon shumë mekanizma që do të duhej të ndihmonin integrimin në BE dhe Nato. Prandaj, riangazhimi i Amerikës në Bosnjë shihet nga boshnjakët, kroatët dhe një pjesë e serbëve si një shans i ri për të ndryshuar strukturën e Dejtonit e cila në fund të fundit është dëshmuar jofunskionale.

Cili mendoni ju se sot është problem kryesor sot për Bosnjën?

- Sa i përket kontekstit politik është dëshira e udhëheqjes aktuale të Republikës Serbe që të ndahet nga Bosnja. Ata janë duke parë për një rast që të ndahen dhe të shpallin pavarësinë. Ndonëse unë në fakt do të thoja se problemi më i madh në Bosnjë vitet e fundit, apo më skatësisht nga Dejtoni e deri sot është korrupsioni dhe mungesa e ligjit.

Si mendoni ju se ajo që ju e quajtët angazhimi i ri i Shteteve të Bashkuara mund t'ju ndihmojë?

- Varet sepse problemi me amerikanët është se ata ende nuk kanë emëruar të gjithë zyrtarët në kuadër të administratës së re, sidomos zyrtarët që kanë të bëjnë me Ballkanin, përfshirë Bosnjën apo edhe Kosovën. Emërimi i Filip Gordon-it, si Zëvendës Sekretar Shteti për Evropë dhe Euroazi është i rëndësishëm sepse ai është zyrtari i cili po formëson politikën amerikane në Evrope dhe veçanërisht në Ballkan. Nëse Shtetet e Bashkuara emërojnë një të dërguar special, të presidentit apo të Sekretares së Shtetit, atëhere kjo do të jetë një paralajmërim i qartë dhe i fuqishëm se Amerika dëshiron të ketë prani të përditshme të Amerikës në Ballkan me qëllim të përfundimit të punës së filluar këtu. Përfundimi i punës nënkupton integrimin e plotë të vendeve ballkanike në BE dhe në NATO.

Si shihet në Bosnjë çështja e Kosovës - a konsiderohet atje mundësia e zgjidhjeve të çështjeve ballkanike në një kontekst të përbashkët?

- Definitivisht, ndonëse duhët të kuptojmë se Bosnja është një shtet që përbehet nga tre entitete, serbët, kroatët dhe boshnjakët. Ndërsa serbët këtu e shohin Kosovën si një vend armik dhe janë agresivisht kundër pavarësisë së saj, nga ana tjetër kroatët dhe boshnjakët nuk kanë asnjë dyshim sa i përket domosdoshmëisë së njohjes së Kosovës sepse ajo de facto ka qenë vend i pavarur për vite të tëra. Problemi i Kosovës në njëfare mënyrë është problem që pasqyron një pamje më të gjerë të problemeve të Ballkanit.

BBC

KOMENTE