Tiranë, 20 maj, NOA - Partia Socialiste ka kryer më në fund aktin zyrtar, i cili pritej nga të gjithë me padurim, atë të dorëzimit të listës së kandidatëve për zgjedhjet e 28 qershorit.
Sipas të dhënave paraprake për agjencinë e Lajmeve NOA, kryerja e aktit të dorëzimit të listës e cila përmban 140 emrat e zgjedhur nga selia rozë për të garuar në zgjedhje, është kryer nga përfaqësues të kësaj partie.
Bëhet e ditur se ka qenë ora 07.50 e mëngjesit të sotëm, kur ata kanë vendosur të shkojë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për të paraqitur listën e kandidatëve.
Në fakt, afati zyrtar për ta kryer një veprim të tillë skadoi dje në orën 00.00, por Partia Socialiste i mbajti të fshehtë emrat e listës, gjatë gjithë natës, edhe pse ky afat e kaloi limitin e tij të përcaktuar sipas rregullave të KQZ-së.
Kjo vonesë u komentua shumë në qarqet e medias dhe ato të politikës, duke u përballur me Partinë Demokratike apo të tjerat pjesëmarrëse në zgjedhje të cilat e respektuan këtë afat brenda limitit të caktuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Vonesa e paraqitjes së 140 emrave për zgjedhjet e ardhshme, u komentua ndërkaq edhe nga ish-kryetari i Partisë Socialiste, Fatos Nano, i ftuar dje gjatë një interviste televizive, i cili e cilësoi këtë vonesë si një "frikë të Edi Ramës për publikimin e emrave".
Bëhet e ditur paraprakisht për NOA-n se në listën që Edi Rama dorëzoi në KQZ nuk ndodhet as emri i tij, as i Fatos Nanos dhe as i ndonjë socialisti të vjetër, duke u zëvendësuar me më shumë emra të rinj të cilët janë përfshirë kohët e fundit në radhët e kësaj partie.
n.e/NOA