Tiranë, 20 maj, NOA - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i pyetur sot nga gazetarët se përse nuk është përfshirë në listën e kandidatëve ish-kreu i kësaj partie, Fatos Nano, pohoi se kjo gjë është bërë duke u bazuar në vlerësimet reale për kontributet e dhëna në këtë parti dhe jo nisur nga faktet e mbetura historike brenda saj.
"Fatos Nano i ka kthyer kurrizin Partisë Socialiste dhe listat e deputetëve nuk janë lista që bëjnë vlerësime historike, por janë lista që përfaqësojnë skuadra të cilat angazhohen për të ardhmen", u shpreh Edi Rama lidhur me një fakt të tillë.
Duke shtuar se "është vërtet për të ardhur keq, që Fatos Nano është i vetmi ish-kryetar i një partie, i cili bën thirrje për të mos votuar partinë e tij".
"Por ky mbetet problem i tij. Projekti ynë i ri politik është një projekt që bazohet në garancinë për të ardhmen dhe jo vlerësimet për të shkuarën", tha më tej Rama.
n.e/NOA