English

Vlorë, policia rrugore merr masa për trafikun, aksion kundër motorave pa dokumente

Vlorë, 20 maj NOA - Policia rrugore ka ndërmarrë sot aksionin për bllokimin e të gjitha mjeteve motorike që qarkullojnë në qytet jashtë rregullave të përcaktuara.

Në ditën e parë të aksionit policia ka bllokuar rreth 15 motorë, ndërsa ka qenë i lartë numri i gjobave të vendosura ndaj drejtuesve të tyre për parregullsi të konstatuara. Sipas shefit të qarkullimit rrugor, për Vlorën, Bledar Meta, aksioni do të përqendrohet në qytet, ku është vënë re një rritje e numrit të motorëve në qarkullim.

Do të penalizohen sipas tij të gjithë ata që qarkullojnë me motorë pa dokumente.

Gjithashtu do të penalizohen edhe drejtuesit e motorëve që nuk mbajnë kaskën.

Kreu i qarkullimit të Vlorën, Meta, sqaroi se përveç aksionit për motorët të incuar sot, vijon aksioni për bllokimin e të gjitha automjeteve të cilat nuk kanë dokumentacionet përkatëse.

Ai theksoi se janë marrë masa edhe për stabilizimin e trafikut në këtë periudhë ku gati trefishohet numri i automjeteve si pasojë e fluksit të turistëve.

Aktualisht ndjehet fluksi vetëm në fundjavë, por ne presim që situata të vështirësohet.

"Kemi marrë masat, që këtë sezon turistik në Vlorë të mos ketë problem me trafikun si në vitet e kaluara. Tashmë drejtoria e qarkut ka planin e veprimit për këtë fushë dhe do të operohet me shumë vendosmëri për të penalizuar të gjithë shkelësit dhe për të koordinuar sa më mirë trafikun në qytet" tha Meta.

k.k/NOA

KOMENTE