Tiranë, 21 maj NOA - Kandidati i G99 për Vlorën, Genci Kojdheli ka reaguar sot miratimin e vendimit nga qeveria, për ndërtimin e centralit elektrik në Karaburun.
"Ashtu siç është tanimë praktikë pune, ndërsa opinioni publik shqiptar është i fokusuar tek listat zgjedhore dhe beteja elektorale, qeveria shqiptare ka miratuar vendimin e ndërtimit të centralit elektrik që funksionon me mullinj ere, duke "pushtuar" gadishullin e Karaburunit, dhe malet përreth gjirit të Vlorës" u shpreh Kojdheli.
"Qeveria shqiptare, një muaj para zgjedhjeve, dhe duke injoruar totalisht mendimin e publikut, e sidomos të banorëve të zonës, pronarëve të tokave që do të pushtohen nga mullinjtë gjigantë të erës, apo konsideratat e operatorëve turistikë dhe ekspertëve të mjedisit, ka privatizuar fshehtazi një nga zonat më të bukura të vendit. Për ta bërë edhe më dyshuese gjithë situatën, qeveria ka anashkaluar edhe Parlamentin, i cili nuk e merr në konsideratë dhe vendos për marrëveshjen tanimë të firmosur" shtoi më tej kandidati i G99 si cili shtoi se shqetësues është fakti se e gjithë energjia e prodhuar nga ky impiant do të shkojë në Itali, ndërsa Shqipëria përfiton vetëm 3% të vlerës së energjisë së prodhuar.
Sipas tij vendi humbet një zonë bregdetare me një potencial fantastik për turizmin, e cila do të pushtohet nga mullinj ere të lartë sa pallate 25 katësh.
k.k/NOA