English

Kapet në Rinas, një 40-vjeçar i arratisur nga burgu në Maqedoni

Tiranë, 21 maj/ NOA - Shërbimet e Hetimit të Krimit pranë Komisariatit të Policisë Rinas, morën masën e arrestit në flagrancë për një shtetas maqedonas i kapur me falsifikime.

Burime zyrtare nga Komisariati i Policisë Rinas thanë sot për agjencinë e lajmeve NOA, se i arrestuari është 40-vjeçari Adem Milaim Sulejmani, lindur dhe banues në Shkup, me kombësi dhe shtetësi maqedonase, i proceduar më parë për veprën penale të "Trafikimit të lëndëve narkotike". Nga të gjitha verifikimet e kryera, del se ky shtetas është arratisur nga vendi i vuajtjes së dënimit në një burg të Maqedonisë.

Arrestimi i Sulejmanit u krye, dje rreth orës 14.30, kur ai është ndaluar nga kontrollori në kabinat e daljes, ku po tentonte të udhëtonte në drejtim të Çekisë.

Maqedonasi, tentonte të lëvizte tranzit në Hungari me linjën ajrore Malev-Budapest, duke përdorur për të udhëtuar me një pasaportë bullgare, në emër të shtetasit Viktor Pavlov Mihaylov, për të cilën dyshohet se është e falsifikuar.

"Ky shtetas gjithashtu posedonte dhe një kartë identiteti bullgare po në emër të shtetasit bullgar Viktor Mihaylov si dhe një leje drejtimi bullgare po në emër të këtij shtetasi, të marra në të njëjtën datë, të cilat dyshohen si të falsifikuara", - deklaroi policia.

Ajo shtoi se në ngarkim të 40-vjeçarit janë dërguar materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale të "Vënies në përdorim të dokumenteve (pasaportës) së falsifikuar".

e.l/NOA

KOMENTE