Tiranë, 21 maj/ NOA - Kryeministri Sali Berisha vlerëson vizitën e Zëvendës Presidentit Biden në rajon si një rikonfirmim të mbështetjes së vyer të Presidentit Obama dhe administratës së tij.
Zëdhënësja e Kryeministrit, Juela Meçani në një dalje për mediat, evidentoi sot, faktin se Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden (Xho Bajden), miku i madh i kombit shqiptar dhe lirisë së tij, zhvillon një vizitë historike në Kosovën e Pavarur.
Kjo përbën një ngjarje të madhe kulmore në marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përbën një mbështetje të fuqishme për Kosovën në përpjekjet e saj për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit të demokracisë të bazuar në vlerat e tregut dhe për kontributin e saj si një faktor themeltar për paqen dhe stabilitetin në Rajon.
"Kryeministri Sali Berisha vlerëson se turi i Zëvendëspresidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në vendet e rajonit është një ngjarje e madhe si për ato vende që ai vizitoi, por edhe për mbarë vendet e Rajonit, është një rikonfirmim i ndihmës dhe mbështetjes së vyer të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barak Obama dhe administratës së tij", - citoi Meçani vlerësimin e kryeministrit.
Sipas kreut të qeverisë shqiptare, "kjo vizitë është një mbështetje dhe inkurajim i fuqishëm për të gjithë popujt e rajonit për të shkruar një kapitull të ri bashkëpunimi dhe miqësie të historisë së tyre evropiane dhe euroatlantike".
e.l/NOA