Zagreb, 21 maj, NOA - Presidenti i Republikës, Bamir Topi u nderua nga presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiç me "Urdhrin e Madh të Mbretit Tomislav me Brez dhe Yllin e Madh të Agimit", i cili në të njëjtën kohë është edhe urdhri më i lartë shtetëror i Republikës së Kroacisë.
Në ceremoninë zyrtare të organizuar me këtër rast, Mesiç vlerësoi kontributin e vyer të Topit në zhvillimin e marrëdhënieve shumë të mira midis Shqipërisë dhe Kroacisë dhe dy popujve tanë.
Në fjalën e tij përshëndetëse në këtë ceremoni, Mesiç vuri në pah "miqësinë mes dy vendeve tona, të cilët më parë kanë jetuar nën sisteme të ngjashme, sisteme socialiste, ndërsa tani ecin me hapa të mëdhenj përpara në drejtim të demokracisë dhe përparimit". "Të dy vendet kaluan periudhat e tranzicionit, së bashku ngjitën shkallët e përparimit edhe sot bashkëpunojnë ngushtësisht me njëri-tjetrin. Marrëdhëniet tona janë shumë të mira dhe zhvillohen çdo vit e më shumë, dhe në këtë mes është gjithashtu edhe merita e Presidentit Topi, të cilin e vlerësojmë si një mik të sinqertë dhe si njeriun, i cili është i përkushtuar ta udhëheqë Shqipërinë në rrugën e saj drejt Evropës së Bashkuar. Z.president Topi, ju keni dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në zhvillimin e marrëdhënieve kroato-shqiptare. Jam i sigurt që këtë kontribut do të vazhdoni ta jepni edhe më tej. Për gjithë këtë që keni bërë deri më tani ju dekoroj me Urdhrin e Lartë të Mbretit Tomislav me Brez dhe Yllin e Madh të Agimit'", iu drejtua Mesiç homologut të tij, Topi. Nga ana e tij, për këtë nderim dhe vlerësim të veçantë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi shprehu mirënjohjen e tij të thellë, duke e konsideruar këtë Urdhër një respekt që i bëhet mbarë popullit shqiptar.
"Ky moment më mbush me emocione të veçanta dhe padyshim i tillë është ky moment. Jam i bindur që kjo dekoratë që po më jepet këtu sot vërtet po merret me titullin personal, por në fakt është kontribut i jashtëzakonshëm i të gjithë atyre që kanë kontribuar në ndërtimin e kësaj miqësie", tha kreu i shtetit Bamir Topi.
n.e/NOA