English

Ministrja e Shëndetësisë, Godo: Ja faktorët që kërcënojnë shëndetin e punonjësve

Tiranë, 21 maj NOA - Përmirësimi i standardeve për sigurinë dhe shëndetin në punë ishte në qendër të diskutimeve të konferencës së organizuar sot nga Ministria e Shëndetësisë, Instituti i Shëndetit Publik, në bashkëpunim me Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

Në këtë konferencë, ka marrë pjesë edhe ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, e cila u shpreh se "Shëndeti në punë është i lidhur ngushtë me shëndetin publik, pasi faktorët e dëmshëm në mjedisin e punës, aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, ushtrojnë ndikim si në produktivitetin, ashtu dhe në mirëqenien fizike dhe ekonomike të familjeve në punë".

Sipas saj faktorë fizikë, ekonomikë, biologjikë, si dhe psikosocialë, kërcënojnë shëndetin e punonjësve. Kontrolli i këtyre faktorëve parandalon dëmtime, paaftësi dhe vdekje të parakohshme.

Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me atë të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe institucione të tjera të vendit dhe të huaja, është duke punuar për të përmirësuar kuadrin ligjor që prek tërë spektrin e shëndetit në punë, në përafrim me direktivat e Bashkimit Evropian.

Tashmë është miratuar në Kuvend ligji kuadër "Për shëndetin publik" dhe është duke u punuar për ligjin "Për shëndetin dhe sigurinë në punë".

"Jemi të ndërgjegjshëm që zgjidhjet e çështjeve, që kanë të bëjnë me shëndetin e punonjësve, kalojnë caqet e shëndetësisë. Zgjidhjet janë të integruar në politikat e punësimit, zhvillimit social ekonomik mbrojtës të tregut, mbrojtjes së mjedisit dhe skesit të përballueshëm në shërbimet shëndetësore", tha ministrja e Shëndetësisë. Ne këtë konference, u prezantuan dhe rezultatet e monitorimit të kryer nga specialistët e Institutit të Shëndetit Publik, Agron Deliu dhe Arti Cicoli, të kushteve të punës së Bechtel Enka.

"Shqipëria tashmë ka hyrë në rrjedhën e një zhvillimi normal me ndërmarrje të fuqishme dhe të vogla dhe është e nevojshme që legjislacioni ekzistues të ri shihet dhe të bëhet në përputhje me atë të vendeve të bashkimit evropian dhe të merren shembuj nga rastet më të mira. Në këtë konferencë ne jemi marrë me dy raste pozitive, me punimet në tunelit e Kalimashit dhe kemi nxjerrë rezultate pozitive të punës në atë tunel ku nuk ka aksidente me vdekje, ku përqendrimi i elementëve ndotës në tunel është brenda normave të lejuara dhe në legjislacionin e ri këto lloj praktikash kemi ndërmend të përfshihen në mënyrë të integruar", tha Deliu.

k.k/NOA

KOMENTE