Tetovë, 21 maj, NOA - Në Tetovë nisin protestat kundër qeverisë në mbrojtje të autonomisë së Universitetit Shtetëror të Tetovës (USHT).
Protesta organizohet nga Parlamenti Studentor i këtij universiteti, i cili ka bërë të ditur se kërkesat dhe shprehja e revoltës së tyre ka të bëjë me diskriminimin institucional të USHT-së, financimin vetëm me 10 për qind të buxhetit për universitetet në Maqedoni, shkurtimin e sërishëm të buxhetit me rebalancin e buxhetit shtetëror dhe presionet qeveritare.
"Nëse cënohet USHT, cënohet ardhmëria, cënohen vlerat demokratike, por cënohen edhe vetë parimet e Marrëveshjes së Ohrit", ka theksuar zëdhënësi i PS të USHT-së, Ylber Jahiu, i cili ka përgënjeshtuar zëvendëskryeministrin Abdilaqim Ademi, se studentët janë të manipuluar me protestat.
Në mbështetje të protestave mësohet se kanë dalë edhe Unioni i Studentëve të UEJL-së në Tetovë, të gjitha partitë politike opozitare, shoqatat e veteranëve të luftës si dhe shoqatat e ndryshme qytetare.
NOA-INA