Nga Ardian TurkuÂ
Kam kënaqësinë e veçantë që gjendem sot bashkë me ju, shkrimtarë, botues, publicistë, njerëz të letrave, në një tjetër eveniment të madh të librit, në ceremoninë e shpalljes së fituesit të edicionit të tretë të Çmimit Kombëtar të Bibliofilisë "Lumo Skëndo".
Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë "Lumo Skëndo" para së gjithash i shërben vlerësimit dhe stimulimit të botimeve me vlera të spikatura bibliofilike e intelektuale, nëpërmjet evokimit të personalitetit të kulturës dhe politikës shqiptare Lumo Skëndo (Mit'hat Frashëri), veçanërisht si themelues i bibliofilisë shqiptare.
Ky çmim i përvitshëm, i vetmi në llojin e tij në vendin tonë, synon të nxisë dhe të përcaktojë standardet në fushën e editorisë, duke vlerësuar botimet e realizuara me parametra cilësorë teknikë e estetikë të tyre, për t'iu dedikuar veçanërisht përkrahjes së prirjeve moderne dhe emancipuese, estetike të botuesve shqiptarë.
Krijimi i traditës është një sfidë që i vihet përpara institucioneve shtetërore, krijuesve, intelektualëve, grupeve të interesit dhe krejt shoqërisë shqiptare, e në këtë kontekst, ndaj të njëjtin mendim me ju, se Çmimi Kombëtar i Bibliofilisë "Lumo Skëndo", përbën një vlerë si në promovimin e risive të arritura në lëmin e botimeve, ashtu edhe në përkujdesjen ndaj kujtesës kombëtare.
Libri mbetet padyshim një ndër prioritetet kryesore të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, për rrjedhojë, dikasteri që unë drejtoj ka qenë dhe mbetet i hapur të bashkëpunojë me ata faktorë të rëndësishëm në fushën e letrave të cilët kanë për qëllim të ndikojnë pozitivisht në gjenerimin e kulturës së shkruar si themel i kulturës së një kombi.
Duke qenë shpirtërisht dhe profesionalisht i lidhur me librin dhe ecurinë e tij, kuptoj vështirësitë që i është dashur të përballojë jurisë deri në përcaktimin e emrit fitues, pasi siç jemi të gjithë të ndërgjegjshëm, editoria shqiptare tashmë ka hyrë në një fazë të re duke shënuar një fluks të madh botimesh si edhe një nivel të lartë profesional. Në sinkronë me këtë dukuri zhvillimi dhe emancipimi, vëmendja dhe vlerësimi për botuesit vjen si një domosdoshmëri e kohës, për të përmbushur njëherazi atë zbrazëti të krijuar në vitet e mëparshme.
Tani mendoj se është momenti i duhur për t'ia lënë vendin verdiktit të Jurisë, i cili do të na bëjë të njohur gjykimin dhe vlerësimin për botimin më të arrirë të realizuar në Shqipëri përgjatë vitit 2008.
(*) Fjala e Ministrit të MTKRS, në ceremoninë e dhënies së Çmimit Kombëtar të Bibliofilisë "Lumo Skëndo"