Dibër, 21 maj, NOA - Në Qendrën e Kulturës në Dibër dje u hap Panairi i tretë i libri shqip, në të cilin në disa stenda janë ekspozuar 1.500 tituj të librave, prej të cilëve 200 tituj të rinj, nga 16 shtëpi botuese nga Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.
Kryetari i Lidhjes së Botuesve Shqiptarë në Maqedoni Savim Ahmeti, paralajmëroi se pas Kumanovës dhe Gostivarit, karvani i libri shqip gjatë dy ditëve të ardhshme do të qëndrojë në Dibër, pas çka do të hapet edhe në Strugë. Ahmeti tha se Ministria e Kulturës nuk ka ndarë të holla për financimin e aktivitetit të panairit, për të cilin 90 për qind ka siguruar Lidhja e Botuesve Shqiptarë, ndërsa 10 për qind autoritetet lokale të Kumanovës, Gostivarit dhe Dibrës. Sipas Violeta Almuçës, njëra prej shkrimtareve më të njohura në literaturën bashkëkohore shqiptare, ndërsa në Panair si përfaqësuese e stendës shqiptare, libri më i kërkuar është "Vetëkonfimimi i gruas" nga Pamela Batler. "Ky është libër i cili e ka ndryshuar jetën e qindra mijë grave në botë dhe është vepra më e shitur e një nobelisti në Shqipëri", deklaroi Almuça.Panairin e librit shqip e hapi kryetari i komunës së Dibrës, Argëtim Fida.
NOA-INA