Prishtinë, 21 maj, NOA - Zv/presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joseph Biden arriti sot në Prishtinë, ku për nder të tij është organizuar një pritje madhëshore, nën një qytet të zbukuruar me flamuj amerikanë dhe aktivitete të ndryshme.
Biden u ul pak minuta më parë në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, ku u prit nga ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës Skënder Hyseni, ambasadorja e SHBA-ve Tina Kaidonov dhe zonjat Sejdiu dhe Thaçi.
Më pas, prej aeroportit, Biden fluturoi me helikopter drejt bazës së KFOR-it në Prishtinë, prej nga me makinë ka shkuar drejt Kuvendit të Kosovës, ndërsa rrugës është pritur nga mijëra qytetarë. Në axhendën e Bidenit është përfshirë një takim me presidentin Sejdiu dhe kryeministrin Thaçi, ndërsa më pas është parashikuar që ai t'u drejtohet me një fjalim të veçantë edhe ligjvënësve kosovarë.
Sipas zyrtarëve amerikanë, Biden do të ketë rastin të theksojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për një Kosovë të pandarë, të pavarur dhe shumetnike. Ai do të flasë me udhëheqësit e Kosovës rreth përpjekjeve që ata kanë bërë për ndërtimin e një shteti funksional dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave.
Udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës e kanë quajtur vizitën "historike". Kjo është vizita e nivelit më të lartë politik që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit të kaluar. n.e/NOA