English

Sonja Licht: Serbia e kënaqur me mesazhin e Bidenit për raporte të mira

Drejtoresha e "Fondi i Beogradit për Ekselencë Politike", si dhe këshilltare pranë ministrit të Jashtëm të Serbisë, një figurë e njohur në qarqet politike dhe intelektuale të Beogradit, shprehet se Serbia mbeti e kënaqur me mesazhet që Biden hodhi gjatë vizitës në këtë vend se SHBA kërkon të ketë marrëdhënie të mira me të.

Sa e rëndësishme ishte vizita e zv.presidentit amerikan për Beogradin zyrtar?

- Unë do të thosha se rëndësia e vizitës së tij në Ballkan fillimisht, në Bosnjë, Beograd dhe Prishtinë, është se ne u siguruam se Amerika do të vazhdojë ta mbajë Ballkanin në axhendën e saj. Sigurisht, nuk do të jetë përparësia kryesore, por as nuk do të harrohet. Tani për mesazhin e Biden që tha të thellojmë bashkëpunimin, si e lexoni ju atë?

- Duhet ta them se unë jam shumë e kënaqur që të dy palët e kuptuan se nëse ka vullnet, rruga gjendet dhe se asnjëra palë nuk do të këmbëngulë me politikën e një çështje të vetme, që do të thotë, me Kosovën, me statusin e Kosovës. Përkundrazi, nga ajo që dëgjuam duket se palët folëm për një seri fushash të ndryshme të (bashkëpunimit), që nga fusha e sigurisë, shkollimi dhe hulumtimet shkencore... Mesazhi është i qartë, që edhe pse ne ramë dakord të mos biem dakord, do të ketë një rrugë, dhe do të ketë vullnet për të gjetur tema të reja për dialog.

A do të thoshit ju se Beogradi është i kënaqur me mesazhin e Biden se njohja e Kosovës nga Beogradi nuk është kusht për marrëdhënie më të mira?

- Mendoj se po, sepse do të doja të shtoja se kjo qeveri, që nga dita e parë në pushtet, i ka thënë elektoratit të saj se dhe gjithë të tjerëve se ky nuk është kusht, as për integrimin evropian, as për gjetjen e gjuhës së përbashkët me komunitetin ndërkombëtar dhe kjo atëherë u prit me mosbesim të madh nga opozita. Po, mendoj se Beogradi zyrtar është shumë i kënaqur që Biden e tha një gjë të tillë.

A shënon vizita e z. Biden nisjen e një periudhë të re në marrëdhëniet mes dy vedneve pas një marrëdhënie të hidhur që ka zgjatur mbi dy dhjetëvjeçarë?

- Para së gjithash, nëse ju bini dakord, unë nuk do të bija dakord me këtë. Unë nuk mendoj se marrëdhëniet gjatë këtyre viteve kanë qenë vetëm të hidhura. Diplomacia ka vazhduar në nivel individësh, do të doja vetëm t'ju kujtoja se p.sh. opozita demokratike ka patur komunikim shumë intensiv me Uashingtonin në vitet '90, kështu që nuk është kaq bardhë e zi edhe nuk ka qenë kështu gjatë 20 vjetëve e fundit. Por do të thosha se po, ekziston një shans shumë pozitiv për të hapur një faqe të re, shumë më të plotë, me më shumë substancë, në bashkëpunim, por duhet të presim.

Kjo është një mundësi dhe do ta shohim se sa do të jenë në gjendje të dy palët që këtë mundësi, ta përdorim në të mirë, para së gjithash, shpresoj unë, të gjithë rajonit tonë.

Z. Biden i kërkoi Beogradit, mes të tjerave që të ishte më bashkëpunues me përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë, për të mirën jo vetëm të serbëve të atjeshëm. A mendoni ju se pas kësaj Beogradi do ta ndryshojë politikën aktuale që ndjek në këtë drejtim?

- Unë mendoj se z. Biden, si e tha më parë dhe në Sarajevë, se do të këmbëngulte dhe në Beograd dhe në Prishtinë, që të gjitha palët në një farë mase, të ndryshojnë qëndrimin e tyre, të bëhen më fleksibël dhe të përpiqen që të arrijnë çfarëdo që është e mundur për të ndihmuar para së gjithash popullin e thjeshtë për të bërë një jetë më të sigurt dhe më të mirë, sigurisht dhe në Kosovë, duke përfshirë këtu dhe serbët e Kosovës. Mesa kuptova unë, ajo që z. Biden tha në konferencën për shtyp, ishte një mesazh që, edhe pse Serbia nuk do ta njohë Kosovën, hapësira ekziston. Ai dhe z. Tadiç në bisedën e tyre të gjatë, theksuan se ekziston hapësira për t'i trajtuar çështjet më mirë në nivelin teknik. Mendoj se do të ketë inisiativa për një lloj bashkëpunimi.

Me Prishtinën?

- Me Prishtinën. Mendoj, ndoshta duke i inkurajuar serbët e Kosovës që të përfshihen në disa procese, në thelb, për ta bërë jetën e tyre atje më të durueshme nga ç'është tani.

Sipas mendimit tuaj, a mund të ndodhë që Beogradi të vendosë të ndërpresë financimin për institucionet paralele të serbëve të Kosovës, gjë kjo që kërkohet jo vetëm nga Prishtina, por dhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë atje?

- Jo. Nuk mendoj se do ta shohim ndërprerje të financimit dhe të mbështetjes për serbët në Kosovë dhe për institucionet paralele. Më lejoni t'ju kujtoj një gjë. Ju e mbani mend fare mirë në vitet '90 kur popullata shqiptare ndjehej se nuk pranohej nga pjesa tjetër, ajo krijoi institucionet e veta paralele. Për sa kohë serbët dhe jo-shqiptarët e tjerë nuk do ta ndjejnë se pranohen nga pjesa tjetër, jam e sigurt se një lloj institucionesh paralele, do të mbeten.

Dhe pyetja e fundit ka të bëjë me politikën e brendshme në Beograd. Z. Biden është figurë e debatueshme në Serbi për shkak të qëndrimit të tij pro-boshnjak dhe pro-shqiptar. Por autoritetet nuk lejuan mbajtjen e protestave kundër vizitës edhe pse në parlament pati deputetë nacionalistë të vijës së ashpër që dolën me parulla kundër Biden. A mendoni ju se gadishmëria e Tadiç për bashkëpunim mund të shkaktojë tensione në skenën politike serbe?

- Unë nuk mendoj se kjo do të vazhdojë të mbetet çështje e rëndësishme. Sigurisht që opozita po provon gjithçka, si bën në shumë vende të tjera, që t'i përdorë evenimente të tilla për të provuar argumentat e saj, por argumentat e saj janë shumë të dobëta.

Kushdo që do të ishte sot në rolin e kryeministrit apo presidentit, do të takohej me z. Biden, me zëvendëspresidentin e SHBA-së. Qëlloi që ai të jetë z. Joseph Biden.

Mendimi im personal është se duke nisur këtë komunikim me gadishmëri për dialog, z. Tadiç edhe njëherë provoi se ai di të veprojë si burrë shteti dhe ndonjëherë, ajo që bëjnë burrat e shtetit, nuk pritet mirë nga të gjithë.

BBC

KOMENTE