English

Zv/presidenti amerikan, Joe Biden mbërrin në Kosovë mes manifestimesh

Prishtinë, 21 maj, NOA - Zv/presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden mbërrin sot në Prishtinë, në kuadrin e një turneu në Ballkan që ai ka ndërmarrë prej dy ditësh.

Dy ndalesat e tij të para gjatë këtij turneu kanë qenë Bosnjë-Hercegovina dhe Serbia, ndërsa Kosova përbën stacionin e tij të tretë. Bëhet e ditur se në kuadrin e vizitës së tij në këtë vend, është përgatitur një pritje madhështore prej përfaqësuesve të shtetit kosovar, ndërsa për serbët e Mitrovicës është paralajmëruar se mund ta shoqërojnë

vizitën e zëvendësit të presidentit Obama me protesta.

Sipas zyrtarëve amerikanë, gjatë takimeve në Prishtinë, Joe Biden do të ketë rastin të theksojë angazhimin e Shteteve të Bashkuara për një Kosovë të pandarë, të pavarur dhe shumetnike.

Ai do të flasë me udhëheqësit e Kosovës rreth përpjekjeve që ata kanë bërë për ndërtimin e një shteti funksional dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave. Sipas axhendës së parashikuar, Biden pritet të takohet me zyrtarët më të lartë të vendit dhe të mbajë një fjalim në Parlament, por ai do të vizitojë manastirin e Deçanit dhe do ta përfundojë vizitën me një takim me trupat amerikane të përqendrauar në Kosovë. Udhëheqësit e shqiptarëve të Kosovës nga ana e tyre e kanë quajtur vizitën e Bidenit si "historike". Kjo është vizita e nivelit më të lartë politik që nga shpallja e pavarësisë në shkurt të vitit të kaluar. n.e/NOA

KOMENTE