Tiranë, 22 maj NOA - Në ambientet e Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë u zhvillua një takim ndërmjet Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi, Ambasadorit të OSBE në Tiranë, Robert Bosch me efektivat e policisë së Qarkut Tiranë që do të marrin pjesë në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, pohoi se prej disa kohësh ka nisur trajnimi i 5000 efektiva të policisë në të gjithë vendin, të cilët kanë një rol të caktuar për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
"Ky proces trajnimi, ku janë përfshirë të gjithë efektivat që do të angazhohen në zgjedhjet e 28 Qershorit, po zhvillohet nën vëzhgimin e misioneve ndërkombëtare "PAMECA", "ICITAP", ODHIR, OSBE, si dhe të drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit. Gjithashtu, në bashkëpunim me OSBE kemi përgatitur një libër xhepi për të gjithë punonjësit e policisë, libër i cili përcakton qartë detyrat tona", - u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
Ambasadori Robert Bosch e cilësoi të rëndësishëm dhe tejet vendimtar, rolin e Policisë në zgjedhjet e 28 Qershorit.
Duke e vlerësuar te suksesshëm rolin e policisë në zgjedhjet vendore të 2007, Ambasadori Bosch theksoi se "sipas raportit përfundimtar të OSBE-ODHIR, roli i Policisë në këto zgjedhje ishte profesional gjatë gjithë procesit zgjedhor".
Gjithashtu, theksoi z.Bosch, "në zgjedhjet parlamentare të 2005, ky raport shprehu se Policia e Shtetit, në ndryshim nga zgjedhjet e mëparshme, nuk ndërhyri gjatë procesit zgjedhor. Ndaj zgjedhjet e ardhshme parlamentare, do të jenë sërish të rëndësishme për procesin në tërësi, për ambiciet e integrimit të vendit në strukturat Euro-Atlantike, si dhe për ambiciet e vetë popullit shqiptar", - u shpreh ambasadori Bosch.
"Në pajtim me pjesën tjetër të bashkësisë ndërkombëtare, unë shpresoj shumë dhe pres që klasa politike, dhe ata që do të ndihmojnë në administrimin e zgjedhjeve, si dhe të gjithë ju, përfshirë edhe mediat, do të sigurojnë që këto zgjedhjet të jenë më të mirat nga ato të zhvilluara në vend, në mënyrë që Shqipëria të ecë përpara", - tha më tej Bosch.
Z. Bosch vlerësoi rolin e drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit në mbarëvajtjen e procesit të trajnimit të efektivave të policisë që do të angazhohen në këto zgjedhje, dhe theksoi se "roli i përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare, ishte vetëm ai i këshilltarit në leksionet e trajnimit. Jam i bindur, se trajnimi kaskad që do të merrni sot, do t'ju bëjë shumë shpejt të atyre për të njohur me detyrat e kodit zgjedhor, në mënyrë që të njëjtat standarde të larta të zbatohen në mbarë vendin".
Ambasadori Bosch, i cilësoi zgjedhjet e 28 qershorit si një provë e rëndësishme për Shqipërinë, dhe theksoi se "puna e Policisë, është vlerësuar maksimalisht nga ndërkombëtarët, dhe nuk duhet për asnjë çast të ndërpritet në luftën kundër krimit të organizuar dhe krimit në tërësi, luftë e cila sipas tij duhet të vazhdojë edhe më tej".
e.l/NOA