Tiranë, 22 maj, NOA - Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, gjatë një takimi me strukturat e policisë, ka theksuar rolin që ato kanë për zhvillimin e një procesi zgjedhpr të lirë dhe korrekt.
Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, kreu i përfaqësisë së Organizatës për Bashkëpunim dhe Siguri Evropiane në Tiranë, mësohet të jetë shprehur se zgjedhjet e 28 qershorit janë me mjaft rëndësi për të ardhmen e vendit tonë, i cili ka si pikësynim të tij, integrimin drejt strukturave evropiane.
Për t'i arritur ato, sipas Bosch, një rol të posaçëm ka ndërhyrja e duhur e policisë për të ganatuar një proces të lirë dhe të ndershëm.
"Policia nuk ndërhyri në zgjedhjet e vitit 2005", mësohet të jetë shprehur ai ndër të tjera, duke lënë të nënkuptuar se policia nuk duhet të ndërhyjë në zgjedhje për t'i destabilizuar ato, por thjesht për zgjidhjen e konflikteve, nëse ka për të patur të tilla.
Gjatë një interviste, dje Bosch ka folur edhe për listat e kandidatëve të partive politike, duke deklaruar se ato u publikuan nën një proces transparent, por ama mund të ishte bërë edhe më shumë në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, ai ka theksuar edhe njëherë domosdoshmërinë e realizimit me sukses të procesit të zgjedhjeve të 28 qershorit, tani që vendi ka kryer zyrtarisht edhe aplikimin për të fituar statusin e kandidatin për në Bashkimin Evropian.
n.e/NOA