English

Edi Rama në auditorium me studentë: Po cenohen konkurrenca dhe merita

Tiranë, 23 maj/ NOA - Universiteti Europian i Tiranës ka ftuar në një auditorium, për reformat në arsimin e lartë, Kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama.

Në këtë auditorium Rama u shpreh se të gjithë të vetëdijshëm për cenimin e vazhdueshëm që i bëhet dy shtyllave kryesore që janë konkurrenca dhe merita.

"Sot e gjithë ditët nuk kemi një sistem universitar që të garantojë konkurrencën, qoftë midis universiteteve, qoftë midis studentëve, qoftë midis pedagogëve dhe profesorëve e kështu me radhë dhe as që të garantojë meritën që t'i japë secilit atë që meriton", - u shpreh Rama.

Ai ka theksuar domosdoshmërinë konkurrencës dhe meritës, jo vetëm mes studentëve, por në çdo hallkë të sistemit arsimor.

"Ne kemi nevojë të japim arsimin e detyrueshëm të gjithëve, kemi nevojë të çojmë drejt arsimit të mesëm të gjithë, por kemi nevojë që t'u tregojmë të gjithëve se rruga për të shkuar më tej është një rrugë e konkurrencës dhe e meritës", - pohoi kreu i PS.Â

Edi Rama ka premtuar se çdo vendim që do të ndërmarrë në qeverisjen e pas 28 qershorit do ta bëjë në konsultim me grupet e interesit, edhe në fushën e arsimit privat apo publik:

"Kur unë them që ne duam të bashkëqeverisim qoftë fshatin, qoftë sistemin shëndetësor apo qoftë konkretisht sistemin tonë arsimor, unë nënkuptoj që i kemi të gjitha mundësitë që të mos humbasim tjetër kohë të çmuar dhe mos të bëjmë gabime të përsëritura për shkak të mungesës së komunikimit dhe dialogut me botën tuaj. Jam i bindur që me një qeverisje e cila do të ketë parim themelor dialogun me përfaqësuesit e të gjitha grupeve të interesit, ne mund të bëjmë transformime që sot duken të paimagjinueshme në një njësi kohe shume të shkurtër", - deklaroi ai.

Takimi i Kryetarit të PS Edi Rama ka vazhduar në bashkëbisedim të lirshëm me studentët e këtij universiteti privat, ku nuk kanë munguar batutat dhe interesi i tyre ka qenë mjaft i lartë.

e.l/NOA

KOMENTE