English

G99, Ekonomi: Garda mbuloi me puthje dhunuesin e të verbërve te Kryeministria

Tiranë, 22 maj NOA - Përfaqësuesja e G99 Milva Ekonomi, ka shprehur sot, "shqetësimin e thellë për ngjarjen e shëmtuar që ndodhi dje në dyert e Kryeministrisë".

Ekonomi vlerësoi se "dhuna që u ushtrua mbi qytetarët është e dënueshme jo vetëm për faktin se ushtrohet mbi qytetarë të pambrojtur për shkak të kufizimit të tyre fizik por mbi gjithçka për vendin dhe kohën kur ndodhi".

Ekonomi veçoi më tej shqetësimin se "forcat e policisë së rendit nuk lëvizën asnjë gisht në mbrojtje të qytetarëve paqësorë, edhe pse mbrojtja e qytetarëve është arsyeja pse taksapaguesit shqiptarë paguajnë rrogat e tyre".

Po ashtu, në emër të G99, Ekonomi shprehu zemërimin për "lehtësinë me të cilën ky person shëtit në ambientet e kryeministrisë dhe fakti se pas veprimit të tij kriminal ai përcillet në mënyrë të pacipë nga Garda e Republikës me buzëqeshje dhe puthje".

Ndërkohë, Ekonomi citoi se "njoftimet e sotme të medias na bëjnë me dije se personi në fjalë, Pëllumb Borshi, nuk figuron si biznesmen në Qendrën Kombëtare të regjistrimit të Bizneseve duke lëshuar dyshim mbi variantin zyrtar të identitetit të tij, variant i dhënë nga Policia e Shtetit"

Në këtë pikë, Ekonomi tha se "cilado qoftë e vërteta, një gjë mbetet e sigurt, ngjarja e djeshme është shembull i dorëzimit të shtetit ndaj antivlerave".

Për Ekonomin, paraliza që shfaqën dje forcat e rendit me të drejtë indinjon çdo qytetar të ndershëm dhe paqësor të këtij vendi. Ngjarja e djeshme, e kombinuar edhe me dhunën që u shfaq po në të njëjtën ditë ndaj aktivistëve të G99 është, në fakt, pjesë e një klime të përgjithshme pasigurie dhe frike që ka pushtuar shtetin dhe strukturat institucionale, - ka vijuar Ekonomi kritikat e saj.

Duke përfunduar, ajo lëshoi paralajmërimin se "në këtë fushatë elektorale, qytetarët e këtij vendi ndihen të kërcënuar e të pasigurt ndaj ne kërkojmë sot mbi të gjitha qetësi dhe siguri".

e.l/NOA
KOMENTE