Vlorë, 22 maj NOA - Kandidati për deputet për Qarkun e Vlorës Besjan Pesha ka vijuar takimet me qytetarët nëpër lagjet e Vlorës.
Sot Pesha i shoqëruar nga dhjetëra të rinj për veprim dhe disa intelektualë të qytetit të Vlorës ka vizituar me dhjetëra biznese të vogla të cilat operojnë në zonën e lagjes "Çole".
Gjatë takimeve Pesha u njoh me problematikat e shumta që këto biznese hasin si edhe me rrezikun e lartë që ato kanë për të falimentuar.
Një nga pronaret e një dyqani të vogël rrobash në këtë lagje i tha kandidatit për deputet: "Unë të falënderoj që ti po shkon lagje më lagje dhe shtëpi më shtëpi për të prezantuar programin e LSI".
"Kjo është një shenjë e mirë që tregon se kaq pranë do na qëndrosh edhe nesër dhe nuk do të jesh si këta që kanë ardhur, kanë bërë mitingje, kanë marrë votat dhe kanë ikur pastaj në drejtim të paditur. Unë jam gati në prag të falimentimit me dyqanin tim sepse varfëria në Vlorë ka arritur kulmin dhe mezi ia dal të nxjerr një rrogë për të ushqyer kalamajtë e mi", - evidentoi pronari i njësisë tregtare.
Të njëjtat shqetësime i kanë shprehur edhe pronarët e tjerë të bizneseve dhe qytetarët që Pesha ka takuar në rrugë.
Nga ana e tij, në njërin prej dyqaneve Besjan Pesha u shpreh: "Unë kam ardhur sot që të prezantohem si kandidat për deputet por mbi të gjitha që t'ju prezantoj juve planin për veprim të LSI I cili është përgatitur nga ekspertët më të mirë dhe që përmbledhtazi tregon se si ne do të hapim vende të reja pune dhe do të krijojmë mundësi për të gjithë shqiptarët".
Pesha theksoi se plani për veprim është "një vepër konkrete dhe në të do të dalloni qartë se si ne do të veprojmë për të zhvilluar bizneset e vogla dhe të mesme dhe si do të rivitalizojmë të gjithë ekonominë e Vlorës duke çliruar të gjithë kapitalin që është i fshehur sot si rrjedhojë e mungesës së planeve dhe investimeve nga ana e shtetit".
e.l/NOA