Kukës, 22 maj NOA - "Pas fitores së 28 Qershorit, LSI do të bëjë të mundur përfundimin e disa akseve rrugore në këtë qark, për të kthyer alpet shqiptare në një Zvicër".
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), Ilir Meta e bëri këtë premtim në qytetin e Kukësit, ku zhvilloi një takim me përkrahës të kësaj partie.
Ky takim ishte në vijimësi të takimeve që Meta po zhvillon në të gjithë qytetet kryesore të vendit, duke prezantuar Planin për Veprim dhe kandidatët për deputetë të LSI.
Në të gjitha këto takime vihet re një pritje mjaft e ngrohtë e qytetarëve në të gjithë vendin, të Planit për Veprim të LSI dhe prioriteteve programore që kjo forcë politike do të realizojë në qeverisjen e saj pas fitores në 28 Qershor.Â
Gjatë takimit në Kukës, kreu i LSI, Meta shoqërohej nga kandidati që kryeson listën e LSI ne Qarkun e Kukësit, Zef Çupi dhe nga Kryetari i LSI në Kukës, z.Qemal Elezi dhe të tjerë drejtues të LSI në këtë rreth.
Kryetari i LSI theksoi se prioriteti i kësaj force politike është hapja e sa më shumë vendeve të reja pune, duke lehtësuar nga tatim taksat çdo biznes, i cili punëson 5 persona apo përjashtimin nga këto detyrime të çdo biznesi të ri, i cili bën të mundur hapjen e një vendi pune.
Meta garantoi gjithashtu angazhim dhe mbështetje për të gjithë fermerët për nxjerrjen e bujqësisë nga kriza, duke subvencionuar deri në 25 për qind të gjitha inputet, si dhe subvencionim të njësisë së prodhimit deri në masën 20 për qind.
Meta nënvizoi se vetëm duke ndjekur një politikë të tillë subvencionuese do të synojmë që brenda 4 viteve të ardhshme të punësohen 100 mijë shqiptare.
Nga qyteti i Kukësit Meta ka shprehur angazhimin e tij që pas fitores së 28 Qershorit LSI do të bëjë të mundur përfundimin e disa akseve rrugore në këtë qark, për të kthyer alpet shqiptare në një Zvicër.
Kreu i LSIÂ e cilësoi të rëndësishëm ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, ideja për ndërtimin e së cilës ishte kohë më parë se Berisha të bëhej Kryeministër.
Meta shtoi se përfundimi i kësaj rruge është i rëndësishëm, pasi vetëm duke shfrytëzuar resurset e kësaj zone do të bëhet e mundur rritja e mirëqenies së njerëzve në këtë zonë.
Kreu i LSI ka shprehur vendosmërinë që Aeroporti i Kukësit, do të kthehet në një pikë tranziti ndërkombëtar.
Meta shtoi se ky aeroport, i cili është fiktiv do të kthehet në një burim mirëqenie dhe zhvillimi për gjithë veriun.
Meta ka premtuar dhe siguroi se statusin e minatorit, i cili nuk u miratua nga ky parlament, LSI do ta miratojë në parlamentin e ardhshëm pasi është e domosdoshme te tregojmë solidaritet për këta punonjës të cilët kane punuar ne kushte tejet të vështira.
Njëkohësisht do të miratojmë edhe ligjin për kujdesin e individëve të moshës së tretë, i cili u rrëzua nga parlamenti që përfundoi mandatin.Â
e.l/NOA