Ekskluzive nga Agjencia e Lajmeve NOA
Nga bashkëpunëtori ynë në Athinë
Athinë, 22 maj/ NOA - Kur Aleko, bashkë me vëllain e tij pesë vjet më të vogël, çelën të dy, tre vjet më parë, "Zyrën e takimeve erotike" me reklama vajzash në rusisht, askush nuk e kishte imagjinuar se do të arrinin monopol mbi shfrytëzimin seksual të grave të huaja në Athinë, duke korrur jo pak por një fitim prej 3.5 milionë euro në vit.
Dy shqiptarët, arritën përmes një organizimi të paparë, të çojnë në maja biznesin e tyre, duke arritur të kenë nën kontroll xhiron fantastike vjetore, pasi kishin nën "pushtim", të gjitha piacat e Athinës.
Për më tepër, arritën të krijojnë dhe krocerat e seksit, duke u lidhur me kompani turistike që lëshonin krocera me qera, të cilat më pas shfrytëzoheshin për orgji seksuale.
Këtë e arritën në kuadrin e zgjerimit të biznesit, por duke shndërruar jahtet luksoze në bordello lundruese, që paguheshin nga pasanikët grekë apo turistët e huaj, "sa frëngu pulën".
Dhe mes tyre, plot emra të njohur të shoqërisë së lartë helene. Kështu, këto afro tre vjet, u shndërruan për Alekon 34 vjeçar dhe vëllain e tij 29 vjeçar, si një parajsë mbi Tokë.
Por një gabim i zuri "mat" dhe gjithçka u shemb si një fortesë prej rëre.
Mëngjesin e së premtes, forcat antitrafik të Policisë së Shtetit në Athinë, arrestuan tre menaxherët, dy grekë, 57 dhe 45 vjeç dhe një 33-vjeçare nga Turqia, si dhe dhjetë anëtarët e tjerë të organizatës kriminale, që të gjithë shqiptarë.
Gjithçka u arrit përmes operacionit të koduar policor "Djalli". Por policia dështoi në arrestimin e 34-vjeçarit Aleko, (mbiemri nuk u konfirmua nga policia), i njohur si "zoti Aleko" dhe vëllait të tij, pasi ata arritën të zhduken duke u larguar nga Greqia në drejtim të Shqipërisë.
Ata janë shpallur në kërkim ndërkombëtar, sikundër dhe një 50-vjeçare ruse, e cila furnizonte rregullisht dy "pronarët" shqiptarë me vajza nga vendet e ish-Federatës Ruse.
Policia e Shtetit në Athinë, konfirmoi se "dy vëllezërit shqiptarë kanë hyrë në tokën shqiptare dhe sinjalet nga autoritetet shqiptare kanë ardhur se prangosja e tyre në Shqipëri është çështje orësh".
"Krerët e organizatës janë dy vëllezër të shtetësisë shqiptare, 34 dhe 29 vjeç të cilët janë në Shqipëri dhe ne kemi lëshuar urdhër-arreste kundër tyre", tha zyrtarisht policia.
Por kjo sipas policisë, do të bëhet vetëm pas dërgimit të dosjes hetimore ndaj të dyshuarve, si një argument për palën shqiptare që të vërë në pranga të kërkuarit e Athinës.
Policia ka identifikuar si klientë të zyrës së seksit të dy shqiptarëve, mjekë të njohur, profesorë me grada, zyrtarë të lartë të Athinës, biznesmenë shumë të njohur, avokatë, prokurorë dhe gjykatës, aktorë dhe njerëz të tjerë të botës së artit e kulturës.
Policia refuzoi çdo përpjekje të gazetarëve për të publikuar disa nga emrat e tyre, por pranoi se ata janë njerëz tejet të njohur.
Sikundër mësohet, rekrutimi i vajzave bëhej duke shfrytëzuar gjendjen e keqe ekonomike dhe sociale në vendet nga vinin dhe premtimin se ata do të gjenin punë dhe dokumente të rregullta qëndrimi në Greqi.
"Vajzave u bliheshin biletat e avionit dhe pajiseshin me dokumente qëndrimi dhe rekrutoheshin pasi më parë u premtonin punë si kameriere në restorante në ishuj", sqaroi policia e cituar nga e përditshmja e Athinës "Expresso" që kishte argument kryesor të gazetës, pikërisht raportin për këtë zbulim tronditës.
Për të përballuar fluksin e punës, ishin marrë nëntë apartamenteve me qira në disa lagje të Athinës.
Në rrethana ende të paqarta, të gjitha vajzat ishin pajisur me leje qëndrimi, por ato u mbaheshin "peng" nga menaxherët e bandës kriminale.
Kjo i bënte ato, shtuar dhe goxha para që u jepnin, të frenoheshin për t'iu afruar policisë me qëllim denoncimin e trafikut të prostitucionit. Policia pranoi se asnjë vajzë nuk ishte kërcënuar, dhunuar apo keqtrajtuar.
Si funksiononte
Dy vëllezërit shqiptarë, ishin lidhur me një 50-vjeçare ruse dhe në bazë të paktit mes tyre, ajo merrte përsipër t'i furnizonte me vajza nga Rusia dhe vende të Kaukazit, duke marrë në këmbim përqindje fitimi rregullisht. Në bazë të kërkesave të klientëve, përzgjiedheshin vajza tërësisht bionde dhe me sy në ngjyrë të hapur, kryesisht bojëqeilli ose jeshile.
Në shumë gazeta të përditshme të Athinës, vendoseshin njoftime për takime erotike dhe jepeshin numra kontakti për "të kryer punë".
Në pjesën më të madhe, kjo "punë" kryhej në hotelet e Athinës dhe më rrallë, kundrejt pagese më të lartë, në shtëpitë e klientëve.
Dhjetë për qind e shumës së fituar i kalonte menjëherë vajzave. Po aq merrnin shoferët që rekrutoheshin për shërbimin taksi. Pjesa tjetër prej 80 për qind, dorëzohej në arkën e zyrës së takimeve erotike.
Nga kjo shumë, 20 për qind i ndanin 50-vjeçarja ruse dhe tre menaxherët e "zyrës" kurse 60 për qind i merrnin dy vëllezërit shqiptarë, pronarë të biznesit. Policia tha se për të kryer operacionin "Djalli", mori në pyetje dhe mblodhi prova e dëshmi nga rreth 150 persona.
Ajo arriti në përfundimin se vetëm një prej tyre, një shtetas grek, i njihte dy shqiptarët si pronarë të biznesit dhe 50-vjeçarja ruse që u arratis. Të tjerët dinin thjeshtë dhe vetëm se ishte një zyrë që kishte për pronarë, "disa aksionerë".
Personat e përfshirë në këtë organizatë, dorëzonin çdo ditë në arkat e zyrës, në orën 07.00 të mëngjesit, jo më pak se 15 mijë euro.
Si erdhi fundi
Fundi i lavdisë së dy shqiptarëve ka nisur tre muaj më parë, kur në zyrën antitrafik të policisë së Athinës, mbërrin në rrugë operative një informacion për afera të dyshuara prostitucioni përmes njoftimeve për takime erotike.
Policia pranoi se palë konkurrente në tregtinë e seksit përmes njoftimeve erotike (në Greqi lejohen të tilla shërbime), sinjalizuan duke ofruar të dhëna të sakta për këtë trafik. Këtu ka nisur dhe hetimi 90 ditor që përfundoi mëngjesin e djeshëm.
"Ne arritëm lehtësisht tek fijet e rrjetit, por vonuam operacionin pasi kishim si qëllim identifikimin dhe kapjen e pronarëve të organizatës në dukje legale", deklaroi Policia e Athinës në një dalje për gazetarët.
Hetuesit zbardhën se "zoti Aleko" 34-vjeçar, kishte blerë në Ilion, një vilë luksi ku po jetonte me të shoqen dhe tre fëmijët e tyre, që të gjithë me qëndrim të ligjshëm në Greqi. Më tej u mësua se 29-vjeçari jetonte në një shtëpi tjetër luksoze, në "Alimu".
Kurse zbardhën se zyra e Alekos dhe vëllait të tij 29-vjeçar, gjendej në "Paleo Faliro", lagje luksoze e Athinës dhe mbante emrin "Velat e rrugës" ("Ιστιοπλοϊκοί ΔÏόμοι") dhe që funksiononte me dokumente si zyrë e një 57-vjeçari grek, bankier.
Këtu, policisë i është bashkëngjitur në hetim, edhe Zyra e Provave Speciale të Ministrisë së Financave dhe Autoriteti për Parandalimin dhe Luftimin e Pastrimit të Parave.
Operacioni "Djalli" nisi mbrëmjen e së enjtes, kur dy agjentë policie, u shtirën si klientë dhe mbyllën një takim për të bërë seks kundrejt pagesës me dy vajza.
Ata u futën në një hotel të Athinës dhe atje "u detyruan" të shndërrohen në klientë realë, deri në momentin që duhej bërë pagesa për prostitutat.
Në këto momente, njëkohësisht, operacioni u shtri në nëntë apartamentet e identifikuara, zyrën e takimeve erotike, portin e jahteve në kalatat 2 dhe 4 të Marina Alimos si dhe vilën e Alekos dhe banesën e vëllait të tij 29-vjeçar.
Në zyrën e maskuar si kompani shërbimi për udhëtime turistike me anije me vela dhe jahte, u gjetën 12 vajza, që të gjitha nga vendet ish-sovjetike.
Njëra prej tyre pranoi të bahskëpunojë me policinë dhe depozitoi kërkesë për azil dhe tashmë ndodhet në mjediset e një organizate joqeveritare.
Financat
Policia zbardhi se 40 vajza aktivizoheshin në tregtinë e seksit në mënyrë të përditshme por në total, 100 vajza ishin aktive në këtë "profesion".
Çdo vajzë merrte 150 euro për një takim intim dhe secila prej vajzave kishte jo më pak se pesë takime të tilla në ditë.
Kurse 23, ishte numri i taksixhinjve të përfshirë në biznes, dhjetë prej të cilëve u arrestuan kurse kërkohen 13 të tjerë. Totali i xhiros ditore ishte nga 12 deri në 15 mijë euro dhe xhiroja vjetore, jo më pak se 3.5 milionë euro.
Policia tha se të tilla shuma shpjegonin dhe faktin si dy shqiptarët kishin në llogari bankare 2.5 milionë euro dhe në posedim gjashtë anije me vela.
Dy të fundit ishin blerë dy muaj më parë, një muaj pasi kishte nisur hetimi dhe për to, ishin dhënë 440 mijë euro, të paguara në cash.
Në vilë, u gjetën dhe sekuestruan 63.680 euro. Por sipas policisë, ajo që do t'i djegë më shumë dy shqiptarëve është se u gjetën shumë dokumente, blloqe shënimesh me adresa dhe emra të personave të përfshirë në trafik si klientë dhe bashkëpunëtorë, bashkë me të dhënat financiare për secilin si dhe blloqet e faturave dhe librat e hyrje-daljeve monetare.
Po ashtu u sekuestruan një makinë veturë luksoze Porsche Cayenne, një tjetër, Dodge, tre motoçikleta Harley Davidson, si dhe një makinë BMË, që të gjitha të dy vëllezërve shqiptarë.
Ndërkohë, në dy banka private në Shqipëri, dy shqiptarëve iu gjet dhe bllokua shuma prej 1.5 milionë euro. Policia konfirmoi se pas të dhënave të sjella nga policia shqiptare, u provua se dy shqiptarët kanë kryer një investim prej 2.5 milionë euro në Tiranë, por nuk u konfirmua objekti i këtij biznesi.
Policia zbardhi edhe faktin se veç gjashtë anijeve me vela dy shqiptarët merrnin me qera shpesh, jahte luksoze për udhëtime 2-3 ditore në ishullin Egje.
Ato ishin ekskluzivitet i bosëve të biznesit dhe artit në Athinë dhe përfshirja e tyre në orgjitë seksuale, bëhej me kërkesë të tyre, në konspiracion të plotë. Pagesa për shërbimet e luksit arrinin në 3000-4000 euro në dy ditë.
Admirali
Sipas burimeve të prokurorisë së Athinës, dy vëllezërit, kanë lidhje shumë të afërta familjare me ish-një admiral të Flotës Shqiptare.
Admirali, sipas të dhënave të grumbulluara në Greqi dhe Shqipëri ka qenë një udhëheqës i Marinës Ushtarake Shqiptare që nga mesi i viteve '50.
Në atë kohë, në zemër të Luftës së Ftohtë, "fajkojtë" e CIA-s, të alarmuar nga prurja e flotës sovjetike në ujërat shqiptare dhe mbërritja e disa nëndetëseve, kërkoi ndihmën e shërbimeve sekrete greke.
Zyrtarët grekë, gjithnjë sipas hetimit të policisë dhe prokurorisë greke në bashkëpunim me atë shqiptare, kanë rekrutuar pikërisht admiralin që sot rishfaqet në skenë si njeriu më i afërt i dy vëllezërvë trafikantë.
Admirali u kishte dhënë "fajkojve", informacione të vyera mbi nëndetëset sovjetike. Ky veprim i kreut të Marinës Shqiptare u zbulua nga Sigurimi i Shtetit të regjimit të Enver Hoxhës. Admirali, nuk u ekzekutua por u mbajt në bunkerët e Sigurimit dhe vdiq atje nga torturat e sigurimsave.
Ndërkohë, dy vëllezërit shqiptarë, duke gëzuar një reputacion në jetën ekonomike të Tiranës, hynin dhe dilnin pa vështirësi në Greqi ku gjithashtu ishin të respektuar, për shkak të kujtesës së autoriteteve greke për ndihmën që admirali u kishte dhënë katër dekada më parë.
Në Tiranë, dy vëllezërit posedojnë një vilë luksoze dhe qarkullojnë me një makinë të blinduar "Mercedes 600".
n.s/NOA