Tiranë, 22 maj/ NOA - Partia Socialiste paralajmëroi sot në mesditë se ajo nuk do të njohë zgjedhjet ku konstaton se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve po shkel ligjin duke politizuar vendimmarrjen.
Damian Gjiknuri, Nënsekretar për Çështje Ligjore në PS, doli para medieve ku tha se partia ku aderon, është "thellësisht e shqetësuar për vendimmarrjen e KQZ, një vendimmarrje thellësisht e politizuar dhe e orientuar politikisht, në funksion të interesave politike të qeverisë ‘Berisha'".
Gjiknuri vlerësoi se Kryeministri Berisha me farsën e tij mediatike dhe me ndihmën e seksionit militant në KQZ, po mundohet të fshehë shkeljet e rënda ligjore në lidhje me kriteret e listës së kandidatëve për deputetë.
"Lista e PD e dorëzuar në KQZ është thjeshtë listë emrash e pa shoqëruar me asnjë dokumentacion siç e kërkon ligji. Treguesi më i mirë farsës së kësaj liste është fakti që Z. Berisha, Znj. Topalli dhe Z. Patozi vetëm dje kanë dorëzuar deklaratën e kandidimit, ndërkohë që pjesa më e madhe listës akoma nuk ka dokumentet përkatëse", - evidentoi Gjiknuri.
Këtu ai pranoi se "është e vërtetë që PS e dorëzoi listën e kandidatëve vetëm një orë pas PD", por shtoi se "kjo listë shoqërohej me dokumentacionin e saktë dhe me deklaratat individuale të çdonjërit prej 140 kandidatëve".
Gjiknuri shtoi se "e vetmja mangësi e kësaj liste ishe mungesa e dy fotokopjeve të dokumenteve të identifikimit, si dhe një ndryshim në listë për të plotësuar kuotën gjinore të kërkuar nga ligji".
Nga ana tjetër në KQZ, - vijoi Gjiknuri, - po zhvillohet një farsë procedurale e ligjore ku kandidatët e PD po deklarojnë moskandidimin e tyre, dhe ku administrata e KQZ po bëhet palë në ndryshime antiligjore në këto lista.
"Akoma më keq, duke mbyllur sytë përpara përcaktimeve të ligjit, listat e partive aleate të PD po miratohen pa respektuar kriterin ligjor të kuotës gjinore, duke hedhur në kosh atë standard që u arrit në Kodin Zgjedhor", tha Gjiknuri.
Sipas tij, ironia më e madhe qëndron në faktin që organi i vetëm që garanton këto standarde, po bëhet pjesë e injorimit të tyre duke u frymëzuar thjesht nga zelli politik dhe kalkulimet tinzare elektorale të PD.
"Një listë kandidatësh që nuk përmbush kriteret ligjore, është një listë e pavlefshme dhe ne do ta kundërshtojmë këtë me të gjitha mënyrat e ligjshme. Nëse PD bërtet gjithë ditën për emancipim shoqëror dhe shtet të së drejtës, të paktën ta tregojë këtë me listat për deputetë", - apeloi Gjiknuri.
Duke pohuar se PS po e ndjek me shumë vëmendje dhe shqetësim këtë situatë, Gjiknrui tha se kjo parti i bën thirrje KQZ-së të rishikojë sjelljen e saj institucionale e të udhëhiqet vetëm nga ligji, duke paralajmëruar se përndryshe do të behet bashkëpunëtore në krimin që po përgatitet ndaj zgjedhjeve të lira.
Në këtë pikë, paralajmërimi tjetër i forcës kryesore të opozitës aktuale, është mëse i qartë: "Partia Socialiste nuk mund të njohë një palë zgjedhje ku "arbitri" kthehet në "xhelat".
e.l/NOA