English

Paralajmërimi i PS për të mos njohur zgjedhjet, reagon PD: Sulm i padrejtë ndaj PD

Tiranë, 22 maj/ NOA - Partia Demokratike (PD), hodhi sot poshtë akuzat e Partisë Socialiste (PS), se listat e mazhorancës nuk përmbushin kriteret ligjore.

Erla Mëhilli, zëdhënëse e PD, doli në një reagim për mediat pas akuzave të Gjiknurit se PD dhe KQZ po shkatërrojnë procesin zgjedhor dhe tha se "PD po procedon sipas ligjit dhe kodit elektoral".

"Sot Edi Rama, i cili për vete ia mbathi nga lista e Partisë Socialiste dhe që ka krijuar një listë me gramafonë dhe leje ndërtimi, pati dhe kurajën të sulmojë listat e Partisë Demokratike", - tha Mëhilli.

"Ai që theu ligjin dhe Kodin Elektoral në dorëzimin e listave është Z.Rama, të cilin xhaketat e vjetra por dhe gramafonët e rinj nuk e lejuan të dorëzonte atë pa vendosur veten në krye të saj", - ka vijuar Mëhilli.

Sipas PD, përpjekjet që vazhduan gjithë natën përfunduan me një listë pa kokë, me një listë e cila është unike në historinë e pluralizmit të Shqipërisë dhe Evropës për shkak se për herë të parë një Kryetar Partie që pretendon të udhëheqë fushatën elektorale refuzon në mënyrë kategorike të vendosë emrin e tij në listë duke firmosur kështu kapitullimin para se të nisë beteja".

Në këtë pikë, Mëhilli tha se "Partia Demokratike hedh poshtë pretendimet dhe trillimet e Ramës si të pavërteta dhe deklaron se po procedon çdo gjë në përputhje të plotë me Ligjin dhe Kodin Elektoral".

e.l/NOA

Lexoni si erdhi replika e PD, duke klikuar këtu

Lajmi i plotë pararendës: Paralajmërimi i PS: Nuk njohim zgjedhjet ku KQZ po kthehet në "xhelat"

KOMENTE