English

Petersen: Biden la të qartë "vijën e kuqe" që duhet të ndjekë Serbia me Kososvën

Prishtinë, 22 maj, NOA - Ish-shefi i misionit të OKB-së në Kosovë, Soren Jessen Petersen ka thënë se në një mënyrë, zëvendëspresidenti amerikan Joseph Biden, e ka përcaktuar një "vijë të qartë të kuqe", se si duhet të sillet Serbia në raport me Kosovën. Në një intervistë, Jessen Petersen tha se Biden ka lënë të kuptohet se pret nga Serbia që të ndalojë minimin e pavarësisë së Kosovës.

Ish-shefi i UNMIK-ut, tha se qëndrimi i administratës së re amerikane bazohet në pranimin se vende të ndryshme kanë interesa legjitime.

Sipas tij, administrata e Obamës e pranon se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por në anën tjetër Serbia duhet ta pranojë interesin legjitim të SHBA-së, se ato qëndrojnë fuqishëm prapa pavarësisë së Kosovës.

Ai tha se udhëheqja e Kosovës ka punuar shumë për t'ju ofuar serbëve të Kosovës, por ajo nuk ka qenë e ndihmuar nga Beogradi zyrtar, i cili për momentin, ka thënë Jessen-Petersen, nuk duket të jetë i interesuar që serbët e Kosovës të jenë vërtetë pjesë e Kosovës.

"Mendoj se direktiva e Bidenit në turin e Ballkanit, është në përputhje të plotë me vijat politike që administrata e Obamas po ndërmerr gjithandej botës, në këta tre katër muajt e parë. Dhe kjo vijë është e kundërta e tetë vjetëve të Bushit, sepse administrata e Obamas e pranon se edhe vendet e tjera kanë interesa legjitime. Ata e bënë të qartë këtë në bisedimet me Kinën, Rusinë dhe më të tjerët. Në rastin në fjalë, mendoj se ishte shumë i qartë se SHBA-ja dëshiron që të rivendos marrëdhënie më të mira me Serbinë.

Ata e pranojnë se Serbia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por në anën tjetër Serbia duhet ta pranojë se SHBA-ja qëndron fuqishëm prapa pavarësisë së Kosovës, se ajo është e pakthyeshme dhe se për SHBA-në nuk ka çka të diskutohet më rreth kësaj çështjeje.

Por ai gjithashtu ka shtuar, ashtu si e kam parë në media, se Serbia duhet ta pranojë interesin legjitim të SHBA-së, e në këtë rast duhet të ndalojë çdo gjë, që unë do ta quaja, minim të pavarësisë së Kosovës. Prandaj mendoj se porosia që ai ka përçuar në Beograd ishte shumë e qartë", mësohet të jetë shprehur Pettersen.

n.e/NOA

KOMENTE