English

Sekuestrohen 50 kilogramë marijuanë, transporti me mushkë

Gjirokastër, 22 maj, NOA - Një sasi lënde narkotike rreth 50 kilogramë është sekuestruar nga forcat e policisë paraditen e sotme në drejtim të kufirit me shtetin grek , mbi qytetin e Libohovës, duke u transportuar nga dy persona, të cilët e kishin ngarkuar atë mbi një mushkë.

Sipas të dhënave për agjencinë e Lajmeve NOA, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, forcat e policisë kanë mundur t'i identifikojnë dy personat në fjalë në vendin e quajtur Revani.

Bëhet e ditur se në momentin që policët iu kanë bërë thirrje për të ndaluar, këta dy persona duke përfituar nga errësira dhe terreni shumë i vështirë, e lanë mushkën, së bashku me ngarkesën dhe u larguan me shpejtësi.

Nga ana e policisë është bërë ndjekja, por nuk është bërë e mundur dot kapja e këtyre personave.

Pas informacioneve të grumbulluara në rrugë operative dhe kryerjes së veprimeve të para hetimore u arrit që të indentifikohen autorët e kësaj ngjarje, por për arsye hetimi nuk bëhet ende i ditur indentiteti i tyre.

Grupi hetimor konstatoi se në kafshën e dorës mushkë ishin të ngarkuara dy çanta shpine të mëdha të mbushura me pako ku brenda tyre kishte lëndë narkotike marijuanë, gjithsej rreth 50 kilogramë.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme.

n.e/NOA

KOMENTE