English

Të pandehurit e Gërdecit: "Të na veçohen dosjet, të mos gjykohemi nga Gjykata e Lartë"

Tiranë, 22 maj, NOA - Nuk janë persona me imunitet dhe për këtë arsye, nuk duan që të gjykohen nga Gjykata e Lartë, por nga gjykata e Tiranës, siç veprohet në raste normale.

Kjo është kërkesa që kanë drejtuar sot në seancën e radhës për çështjen "Gërdeci", avokatët e 28 të pandehurve të tragjedisë, të cilët pretendojnë që të mos gjykohen nga Gjykata e Lartë, vetëm sepse i pandehuri i 29-të, është një person me imunitet, si ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu, për hir të të cilit, gjithë kjo çështje, me plot 29 të pandehur i ka kaluar organit gjyqësor më të lartë në vend.

Për këtë arsye, avokatët mbrojtës të 19 të pandehurve nga 29 që janë gjithsej, kanë kërkuar në seancën e sotme në Gjytkatën e Lartë veçimin e dosjes për klientët e tyre. Sipas përfaqësuesve ligjorë, klientët që ata përfaqësojnë nuk kanë imunitet dhe prandaj, gjykimi i tyre nuk është kompetencë e Gjykatës së Lartë, por i gjykatës së Tiranës.

Në fakt, dosja "Gërdeci" për të cilën prokuroria ngriti akuzë për 29 persona, ndodhet për gjykim në Gjykatën e Lartë, pasi njëri nga të pandehurit është ish- ministri i Mbrotjes, kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu, i cili ishte me imunitet. Por kërkesa për gjykim të veçuar është kundërshtuar nga përfaqësuesi i grupit të prokurorëve, Sokol Stojani, i cili i kërkon Kolegjit Penal të mos e marrë parasysh. Ndërkaq, bëhet e ditur se Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë është tërhequr për të vendosur mbi kërkesën e 19 të pandehurve të tragjedisë së Gërdecit, për gjykim të veçuar. dhe vendimi për këtë çështje, bëhet e ditur do të publikohet në orën 14.00.

n.e/NOA

KOMENTE