Tiranë, 23 maj NOA - Bashkia e Tiranës ka nënshkruar sot Marrëveshjen e Bashkëpunimit me Bashkinë e Barcelonës.
Marrëveshja ka për qëllim bashkëpunimin mes dy institucioneve homologe, duke synuar kështu promovimin e zhvillimit institucional, për të modernizuar administrimin e shërbimeve bashkiake.
"Do të kemi tashmë një partner në transformimet urbane, një partner i cili është një model ndërkombëtar për sa i përket zhvillimeve urbane. Një ndër prioritet tona është vlerësimi i hapësirave publike, rikualifikimet urbane, shtimi i sipërfaqeve të gjelbra, krijimi i poleve në të gjithë qytetin, ku grupe të caktuara të shoqërisë do të kenë pjesën e tyre. Do të ketë një eksperiencë dhe një shkëmbim mendimesh dhe idesh nga Bashkia e Barcelonës, e cila tashmë ka shënuar një risi, në të gjitha zhvillimet urbane dhe sidomos në rivitalizimin e zonave të caktuara" u shpreh nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës Albana Dhimitri, gjatë fjalës së saj pas nënshkrimit të Marrëveshjes.
Sipas saj "bashkëpunim i cili do të fillojë që sot do t'i vlejë pa dyshim edhe Tiranës, për të parë edhe zhvillimet e transformimit të madh që Tirana ka pasur gjatë këtyre viteve të fundit, që udhëhiqen nga një dëshirë e përbashkët, të bëjmë një jetë më të mirë të qytetarëve tanë dhe t'i bëjmë qytetet tona sa më atraktive dhe për të huajt"
k.k/NOA