English

Faqet e para të gazetave në Shqipëri dhe analizë e titujve kryesorë 23 Maj

Tiranë, 23 Maj, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Tiranë, për ditën e Shtunë, 23 Maj 2009. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht. Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit. Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e E-mail:Â info@noa.al

Gazeta "Shekulli" vjen sot me titullin e madh në faqe të parë: "Legalizimet, procedura e re për tapinë". Ai tregon sesi hipoteka nis shpërndarjen e tapive të para në Tiranë, nga të cilat përfitojnë 43 persona. Përfituesit e procesit të legalizimeve duhet të paguajnë faturën në hipotekë, ndërsa ALUIZNI njofton me postë brenda dy javësh. Një tjetër shkrim vjen me titullin: "PS: Konsensus, ose ikim nga KQZ". Anëtarët socialistë kërcënojnë pas vendimmarrjes së njëanshme. Gjithashtu, në vazhdim të procesit të pajisjes së shtetasve me kartat e identitetit, citohet: "Kartat, s'kanë aplikuar gjysma e personave pa pasaportë". Një tjetër shkrim në këtë të përditshme vjen me titull: "Gjykata e Lartë ndan Fatmir Mediun nga dosja e "Gërdecit". Ushtarakët dhe civilët do të gjykohen ne shkallën e parë. Ndahet padia e familjarëve. Në faqe të parë të kësaj gazete, gjeni dhe titullin: "Vjollca Hoxha: Një vit pas ikjes së Tanit". Bashkëshortja e Dritan Hoxhës, themeluesit të "TOP"-it, në 1-vjetorin e vdekjes së gjeniut që "jetonte me 300 km në orë".

Gazeta "Panorama" hapet sot me titullin: "Dje vendimi. Deputetët, KQZ kthen listat e shtatë partive". Duke cituar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kthyer mbrapsht shumicën e listave të kandidatëve që partitë kanë depozituar sipas afatit të Kodit Zgjedhor. Në vijim të këtij shkrimi, do të lexoni dhe mbi reagimin e PS-së në lidhje me qëndrimin e KQZ-së. Ajo shprehet: "KQZ Â po sillet si seksion militant i PD-së". Në vijim të hetimeve që po kryhen mbi vrasjen e Fatmir Xhindit, kjo e përditshme sjell shkrimin me titull "Vrasja e Xhindit, bie pista e konfliktit të pronave. Hetimi, mbeten vetëm dy shkaqe". Po ashtu, në vijim të çështjes gjyqësore mbi Gërdecin, do të gjeni shkrimin me titull "Gjykata ndan Gërdecin, Mediu do gjykohet vetëm". Ndërsa në përkujtim të 1-vjetorit të vdekjes së Dritan Hoxhës, në këtë të përditshme do të gjeni shkrimin "Miqtë e Tanit të Topit: Eshtë gjallë, kemi veprën e tij".

"Gazeta Shqiptare" hapet sot me titullin: "Nis dhuna elektorale". Brenda këtij shkrimi tregohet sesi drejtori i spitalit të Delvinës, Ilir Gazheli, njëkohësisht dhe kandidat i PR-së, rrihet nga një militant demokrat. Një tjetër titull në faqe të parë është "Shkëlzen Berisha "lë" Gërdecin për "fenë". Djali i Kryeministrit thyen heshtjen. Kërkon të mos bezdiset nga miqtë e tij me mesazhe. Në vijim, një tjetër shkrim vjen me titullin: "Veçohet çështja. Gërdeci, gjykata rrëzon prokurorinë për herë të dytë".

E përditshmja "Koha Jonë" hapet me titullin: "BE, heqje vizash për tërë Ballkanin". Artikulli tregon se Komisioni Evropian vendos të hënën për liberalizimin e vizave me vendet e Ballkanit. Iniciativa Evropiane për Stabilitet, apel Brukseli: "Aplikoni heqjen e plotë të vizave për të gjithë qytetarët e rajonit". Në vijim do të gjeni shkrimin me titull: "KQZ: Minutazhi në TV, PD-PS marrin "pjesën e luanit". Një tjetër shkrim në të cilin pasqyrohet dhe procesi i legalizimeve, vjen në këtë të përditshme me titullin: "Hipoteka, si po ecën procesi i regjistrimit". Një tjetër shkrim që vjen për studentët të cilët duan të studiojnë në Itali, mban titullin: "Procedurat, Italia ofron 11 lloj bursash për të rinjtë shqiptarë".

Gazeta "Standard" ka në qendër të saj artikullin: "Të panjohurit e listave, sa shkëlqejnë". Duke e komentuar moskandidimin për deputet të Edi Ramës në zgjedhjet e 28 qershorit, Basha shprehet: "Rama nuk hyri në provimin e 28 qershorit". Në këtë të përditshme do të gjeni dhe shkrimin me titull: "Të tërhequrit. KQZ: Zëvendësohen me të njëjtën gjini". Një titull tjetër që zë vend në faqe të parë është edhe "Miell dhe vezë"happy end" i viteve të çmendura".

Gazeta "Shqip" hapet sot me titullin "Vajza e gjyqtarit, në aferën e armëve". Ai paraqet dokumente për të cilat thuhet se përfshijnë Marsela Imerajn në kontratat e Delijorgjit për demontimin. Por anëtari i Gjykatës së Lartë, që po gjykon shpërthimin e 15 Marsit 2008, e mohoi përfshirjen e së bijës. Ndërkaq, në faqen e parë të kësaj gazete bie në sy edhe artikulli me titull: "Një vit pa Dritan Hoxhën, njeriun që sfidonte ëndrrat". Nderim nga të afërmit dhe miqtë, por dhe nga ato që nuk e njohën dot nga afër. Një tjetër shkrim që zë vend në këtë të përditshme është dhe ai me titull: "Lëvizja e lirë, pse nuk përfiton Shqipëria. Tjetër raport në Bruksel. Nuk janë bërë detyrat".

e.l/NOA

Â

Â

Â

KOMENTE