Tiranë, 23 maj NOA - Kreu i G99, Erion Veliaj zhvilloi një takim sot me të rinj të njësisë nr. 2 në Tiranë, të cilëve u shpjegoi atyre se kjo forcë politike është fokusuar në tre çështje kryesore duke u shpjeguar edhe arsyet.
Punësimi rinor, vota e emigrantëve dhe arsimi janë tre çështjet kryesore ku është fokusuar G99.
"Nuk mund të ketë zhvillim të Shqipërisë nëse ne nuk shpenzojmë më shumë nga buxheti ynë për të zbatuar politika më efikase në arsim" tha Veliaj për arsimin.
Ai shpjegoi se pas zgjedhjeve të 28 qershorit, buxheti për arsimin do të rritet dhe do të shkojë në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. "Unë jam rritur në një familje pa mundësi ekonomike dhe ime më, vendosi që familja jonë të sakrifikonte gjithçka vetëm që unë të arsimohesha ashtu siç duhet. Dhe besoj se ky ishte vendimi më i drejtë. Po ashtu si familjet e zakonshme, edhe familja jonë shqiptare duhet të shpenzojë me shume për arsimin, pasi vetëm kështu do të mund të luftojmë varfërinë", tha kreu i G99.
Gjatë këtij takimi, dy prej kandidatëve të G99 në Qarkun e Tiranës, Arbian Mazniku dhe Juliana Hoxha, u shprehën se "veç arsimit, G99 hyri në koalicionin me Partinë Socialiste duke pasur si kusht edhe konkretizimin pas zgjedhjeve të platformës së saj për punësimin rinor, një platformë që G99 e shikon të lidhur ngushtë me arsimin në përgjithësi si dhe atë profesional, si edhe mundësimin e votës për emigrantët"
k.k/NOA