English

Ina Rama në Madrid, për luftë kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar

Tiranë, 23 maj/ NOA - Në kuadër të projektit të binjakëzimit midis Prokurorisë së Përgjithshme Shqiptare, Prokurorisë së Përgjithshme Spanjolle dhe Këshillit të Lartë të Magjistraturës Italiane, Kryeprokuroria Ina Rama zhvilloi një vizitë zyrtare katër ditore në Spanjë.

Ina Rama shoqëruar nga një delegacion i Prokurorisë së Përgjithshme fillimisht është takuar me Prokurorin e Përgjithshëm Spanjoll Candido Conde-Pumpido Tourón, ku është diskutuar rreth një bashkëpunimi më të ngushtë mes Prokurorisë Shqiptare dhe Prokurorisë Spanjolle.

Gjatë takimit mes të dy palëve u diskutua gjithashtu shkëmbimi përvojave në kuadër të projektit të përbashkët të binjakëzimit.

Gjatë takimeve me struktura të tjera drejtuese të Prokurorisë së Përgjithshme Spanjolle, është diskutuar rreth forcimit të frymës bashkëpunuese mes institucioneve të drejtësisë ,gjithashtu nga ana e autoriteteve të drejtësisë Spanjolle është treguar gatishmëri për të asistuar Prokurorinë Shqiptare në procesin dhe zbatimin e projektit, në lidhje me inspektimet dhe vlerësimin e prokurorëve.

Një sërë takimesh të tjera të rëndësishme që delegacioni shqiptar i Prokurorisë së Përgjithshme ka zhvilluar në Spanjë janë ato në Prokurorinë e Audiencës Kombëtare, me Javier Zaragoza Aguado, Kryeprokuror i Prokurorisë së Audiencës Kombëtare si dhe ai me Kryeprokurorin e Antikorrupsionit dhe Kundër Krimit të Organizuar Antonio Salinas Casado dhe me Kryeprokurorin e Prokurorisë Antidrogë D. José Ramón Noreña Salto, në terma konkretë është diskutuar kuadri i forcimit të bashkëpunimit në luftë kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Një nga strukturat e Prokurorisë Spanjolle është dhe shërbimi i Inspektimit të Prokurorisë së Përgjithshme ku nga pala shqiptare është zhvilluar një takim me këto struktura.

Qëllimi i këtij takimi ishte informimi mbi kriteret e procedimit disiplinor të prokurorëve, apo dhe vlerësimit të karrierës së tyre në kuadër të projektit .

Kryeprokuroria Ina Rama ka zhvilluar gjithashtu një takim edhe në shërbimin e Inspektimit të Këshillit të Lartë të Magjistraturës në Spanjë ku është diskutuar rreth procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve.

Gjatë ditëve të qëndrimit në Spanjë delegacioni i Prokurorisë së Përgjithshme ka zhvilluar takime në Prokurorinë pranë Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese në Spanjë.

e.l/NOA

KOMENTE