English

Ministria e Brendshme: Askush nuk do të mbetet pa u pajisur me kartë identiteti

Tiranë, 23 maj NOA - Ministria e Brendshme përgënjeshtroi sot informacionet e Partisë Socialiste në lidhje me procesin e letërnjoftimeve elektronike.

"Procesi po funksionon me kapacitetin e tij maksimal.

Deri më datën 22 Maj kanë aplikuar 1 milion e 50 mijë shtetas, prej të cilëve 420 000 nga grupi i atyre pa pasaportë.

Janë prodhuar 890 000 letërnjoftime, 520 000 prej të cilëve janë tërhequr tashmë prej qytetarëve.

Ministria e Brendshme vazhdon t'i bëjë thirrje qytetarëve të paraqiten për të tërhequr letërnjoftimet e prodhuara" tha sot zëdhënësi i ministrisë së Brendshme Fatmir Konja.

"Ministria e Brendshme përgënjeshtron deklaratat e pavërteta të Partisë Socialiste për mungesë informacioni për listat e qytetarëve pa pasaportë, pasi ky informacion i është dërguar në mënyrë periodike përfaqësuesve të Partisë Socialiste që nga fillimi i procesit.

Lista emërore e rifreskuar e personave pa pasaportë i është dërguar Partisë Socialiste në datën 5 Maj 2009, ndërsa informacioni më i fundit për procesin i është dërguar në datën 20 Maj 2009.

Çdo korrespondencë dhe informacion i dërguar mund të gjendet gjithashtu në faqen elektronike zyrtare të Ministrisë së Brendshme" shtoi më tej Konja.

Sipas tij, ministria e Brendshme është e shqetësuar pasi Partia Socialiste ka dhunuar ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, duke ia dhënë këto informacione zyrtare personave të paautorizuar dhe duke i përdorur në ambiente të hapura publike.

"Ministria e Brendshme rikonfirmon edhe njëherë se askush nuk do të mbetet pa u pajisur me letërnjoftimin elektronik.

Çdo qytetar shqiptar që do të paraqitet për t'u pajisur me letërnjoftimin elektronik, i ka të gjitha kushtet e garantuara për ta marrë këtë dokument brenda 10 ditësh nga data e aplikimit" përfundoi zëdhënësi i ministrisë së Brendshme.

k.k/NOA

KOMENTE