English

Ministria e Jashtme Italiane ofron 110 bursa për studime në institucione

Romë, 23 maj, NOA - Ministria e Punëve të Jashtme Italiane, edhe këtë vit u ofron qytetarëve shqiptarë për vitin akademik 2009-2010, 110 muaj bursa për t'u kryer pranë institucioneve shkencore italiane.

Sipas një njoftimi të publikuar nga ambasada italiane në Tiranë, studimet në fjalë përfshijnë këta sektorë: kërkime, kurse pasuniversitare (doktoratura, master, specializime me përjashtim të disiplinave mjekësore), kurse të ndryshme (pranë akademive, konservatorëve, shkollës kombëtare të Kinematografisë), me një kohëzgjatje prej 3, 6 , 9 ose 12 muajsh, si dhe kurse të gjuhës e kulturës italiane për mësuesit e gjuhës italiane me një kohëzgjatje prej 1, 2 ose 3 muajsh.

Aktivitete të tilla mund të zhvillohen pranë institucioneve si universitete, institute të larta të formimit artistik e muzikor, institutit të Restaurimit, shkollës kombëtare të Kinemasë, qendrave dhe laboratorëve të kërkimit, bibliotekave, arkiveve, muzeve dhe institucioneve të tjera shtetërore.

Një vëmendje e veçantë do t'u rezervohet projekteve të kërkimit, në lidhje me bashkëpunimin bilateral midis dy vendeve në sektorët e mëposhtëm si gjuha dhe kultura italiane, kooperimi ekonomik, historia dhe marrëdhëniet midis Italisë dhe Shqipërisë, arkeologjia, muzika dhe aktivitete të tjera artistike, urbanistika dhe arkitektura, progresi teknologjik, turizmi si dhe turizmi eko-kompatibël, shëndeti publik etj.

n.e/NOA

KOMENTE