English

Procedurat për marrjen e çertifikatave të pronësisë për pronat e legalizuara

Tiranë, 23 maj/ NOA - Zyra Vendore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Bashkëpunim me Agjencinë Rajonale të ALUIZN-it Tiranë, organizuan shpërndarjen e certifikatave të pronësisë për 43 qytetarë, të cilët kanë aplikuar lejet e legalizimit pranë ZVRPP Tiranë.

Kjo ceremoni është organizuar në mbështetje të një procesi që ka filluar më parë për shpërndarjen e certifikatave të pronësisë si pasojë e regjistrimit të lejeve të legalizimit.

Praktikat të cilat janë përpunuar dhe ndodhen në proces përpunimi janë në shifra të mëdha dhe qytetarët kanë treguar interes të madh për të bërë aplikimin e nevojshëm pranë Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Zv/Kryeregjistruesja e Republikës, Sonila Jazaj, e pranishme në këtë ceremoni, u shpreh se procesi i regjistrimit të lejeve të legalizimit po ecën me ritme të shpejta dhe u bëri thirrje qytetarëve të aplikojnë pranë ZVRPP-ve, menjëherë pasi të jenë njoftuar nga ALUIZN-i.

Ajo u shpreh se procesi i regjistrimit të lejeve të legalizimit është shtrirë në të gjithë territorin e Republikës dhe po ecën me ritme shumë të shpejta.

Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme raportojnë se fluksi i aplikimit të qytetarëve është i madh dhe niveli i përpunimit të praktikave nga ana e ZVRPP-ve i përgjigjet kërkesave që kanë qytetarët.

Procesin e ka përmirësuar dukshëm dhe e ka rritur shpejtësinë e përpunimit të praktikave edhe hartimi i një udhëzimi të posaçëm për pronat e legalizuara nga ana e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në përmbushje të ligjit për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, dhe Vendimeve të Këshillit të Ministrave, ka hartuar një udhëzim të brendshëm për regjistrimin e pasurive të paluajtshme të fituara me anë të ligjit për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e zonave të ndërtimeve informale.

Udhëzimi u është shpërndarë të gjitha Zyrave Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, të cilat tashmë do ta kenë më të lehtë procedimin e regjistrimit të pasurive të legalizuara, duke përmbushur detyrimet ndaj qytetarëve në një kohë më të shpejtë.

Qytetari, i cili ka marrë një leje legalizimi nga Agjencia Rajonale e Legalizimit, do të informohet nga kjo e fundit për përcjelljen e dokumentacionit nga ana e saj pranë ZVRPP-së përkatëse. Qytetari në këtë moment duhet të paraqitet pranë ZVRPP-së përkatëse me njoftimin e ALUIZN-it dhe të bëjë pagesën e tarifës së shërbimit pranë sporteleve të ZVRPP-së.

Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, duke filluar që nga ky moment, duhet ta shqyrtojnë kërkesën brenda 15 ditëve. ZVRPP-të nuk kanë të drejtë t'i dërgojnë qytetarit Akt Verifikimi dhe për çdo lloj paqartësie apo mungese dokumentacioni duhet t'i drejtohet Zyrës Rajonale të Legalizimeve.

Në përfundim të procesit qytetari do të pajiset me Çertifikatë Pronësie në rastet kur zona është në Sistemin e Ri të Regjistrimit të Pasurive të paluajtshme, ose me Vërtetim Pronësie në rastet kur zona përkatëse nuk është në Sistemin e Ri të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Në rastet kur Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme nuk do të përmbushin detyrimet ndaj qytetarëve, do të kenë sanksione administrative nga ana e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.

Udhëzimi i miratuar parashikon regjistrimin e lejeve të legalizimit në të gjitha rastet që mund të shfaqen; si në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në pronësi të atij që ka ndërtuar, në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në një parcelë që është në pronësi të shtetit, dhe në rastet kur pasuria e legalizuar ndodhet në një parcelë në pronësi private.

Në rastin e fundit do të procedohet kalimi i pronësisë nga privat në shtet në bazë të VKM-së për shpronësimet, dhe më pas do të regjistrohet leja e legalizimit.

Udhëzimi i miratuar nga ana e Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme parashikon në detaje edhe të gjitha problematikat e tjera që mund të shfaqen përgjatë regjistrimit të lejeve të legalizimit, si në rastet kur parcela ndërtimore është më e vogël se pasuria e regjistruar apo e anasjella.

Ky udhëzim krijon lehtësi për të gjithë punonjësit e ZVRPP-ve dhe shkurton kohën e pritjes së qytetarëve për tu pajisur me dokumentin e pronësisë.

Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme u bënë thirrje qytetarëve që të paraqiten në sportelet e ZVRPP-ve pasi të kenë marrë njoftimin nga Drejtoritë përkatëse të ALUIZN-it, për aplikim për regjistrimin e lejeve të legalizimit.

e.l/NOA

KOMENTE