Tiranë, 23 maj/ NOA - Shqipëria renditet vendi i 66-të, ndër 194 vendet e botës, për cilësinë e jetesës. Krahasuar me 2008-ën, kur listohej në vendin e 75-të , sot Shqipëria ngjitet 9 vende më lart.
Të dhënat i publikoi Zëdhënësja Qeverisë dhe Ministre e Integrimit Evropian Majlinda Bregu.
Indeksi i cilësisë së jetesës, botuar në revistën ekonomike "Cilësia e Jetës" përfshin të gjithë faktorët që ndikojnë në rritjen e cilësisë së jetës në vend, siç janë : kostoja e jetesës, taksat, mjedisi, shëndeti, infrastruktura, kultura e argëtimit, klima e përshtatshme për fillimin dhe mbarëvajtjen e një biznesi, siguria etj.
Bregu vlerësoi se kjo renditje, konfirmon edhe një herë një rezultat që ndryshon pozitivisht nga viti në vit, i bazuar në reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare.
Në këtë vlerësim Shqipëria lë pas vende në rajon si Maqedonia, që mban dhe statusin e vendit kandidat për në BE, Serbia, Bosnja Hercegovina.
"Transparency International, Doing Business, Global Insight, The Economist, PNUD, Banka Boterore si dhe periodikë të ndryshëm si "Financial Times", "Forbes", "Wall Street Journal", agjencia "Reuters""etj, janë dëshmitë reale të trendit të ndryshimit të këtij vendi", - tha Bregu.
Ajo pohoi se që nga lufta kundër korrupsionit, klima e biznesit, lufta kundër varfërisë, reforma fiskale të cilat së bashku kanë si qëllim të vetëm përmirësimin e cilësisë së jetës.
Qeveria shqiptare përshëndet çdo vlerësim objektiv ndaj reformave të ndërmarra gjatë këtyre viteve, të prekshëm së brendshmi e të konfirmuar nga të gjithë organizmat ndërkombëtarë, e sigurt se tendenca për të nxirë dhe mohuar zhvillimin e vendit i përket vetëm vetmitarëve të vjetër të politikës së re.
e.l/NOA