English

Ekskluzive NOA: Familja e Mateos: Djalin na e zhdukën, Topi dhe Berisha janë përgjegjës

Athinë, 24 maj/Ekskluzive NOA - Familja e të voglit Mateo, i cili u rrëmbye në kryeqytetin grek Athinë, shprehet e tmerruar nga fakti se djali nuk u gjet kurrë, ndërsa ditë dhe orë makthi kalojnë që nga dita e zhdukjes, duke akuzuar autoritetet shqiptare se nuk e "kanë vënë ujin në zjarr" për t'i ndihmuar.

"Po bëhen nëntë muaj që djali ynë i shtrenjtë është rrëmbyer dhe ne ende nuk dimë asgjë nëse ai jeton më dhe nëse ne do të mund ta shohim ndonjëherë", - shprehet Albana Dullia, në një prononcim për agjencinë e lajmeve NOA, duke u treguar dukshëm tepër e prekur nga kjo ngjarje që thotë se po i zë frymën.

***

Ditën e hënë, që është dhe Dita Botërore e Fëmijëve të Zhdukur, Albana ka vendosur të dalë publikisht dhe të ngrejë zërin. Të flasë para të gjithëve. Ndaj mesditën e së hënës, ora 12.00, ajo do të jetë përkrah shumë familjarëve të fëmijëve të tjerë të zhdukur, në sheshin "Sintagma" në qendër të Athinës, përballë mijëra vetësh që pritet të mblidhen. Siç Albana dhe nëna e saj Teuta pohojnë, "direkt përballë shumë televizioneve, do të ngrejmë zërin me të gjithë forcën, për të treguar se fëmija është yni, nuk i përket askujt tjetër veç nesh dhe se kjo padrejtësi që na është bërë, është fundi real i jetës sonë".

Duke pohuar se "ne jemi të gjallë vetëm sepse kemi akoma një shpresë që nuk duan të na shuhet: Djali duam të jetë gjallë dhe të na rikthehet në gjirin tonë".

Albana thotë se djali i saj i vetëm, nëse jeton, duhet ta ketë shumë të vështirë të mbijetojë pa të dhe nuk resht së qari duke folur me gazetarin e agjencisë së lajmeve NOA.

Kurse lëshon një "lumë" akuzash për shtetin shqiptar: "Mateo është shtetas shqiptar sikundër ju e shihni edhe në pasaportën që ia mbaj në gji gjithë kohës. Por shteti ynë, as me përfaqësinë e tij në Greqi dhe as me drejtuesit e saj në Shqipëri, nuk kanë bërë asgjë që të më ndihmojnë të gjej djalin tim të zhdukur", - thotë Albana.

Ajo pohon se "ne iu drejtuam ambasadës tone këtu" dhe shton se "titullarët e saj nuk na e varën fare". Nënë e bijë, duke lotuar pareshtur për djalin e zhdukur theksojnë se Topi dhe Berisha kanë përgjegjësi si drejtues të shtetit për të ndihmuar në gjetjen e djalit.

Ato evidentojnë dhe të tjera hapa të ndërmarrë: "I dërguam Presidentit të Republikës Bamir Topi letër, nuk morëm asnjë përgjigje. I shkruam kryeministrit Sali Berisha, sërish nuk morëm përgjigje, përjashtuar konfirmimit nga posta, që letra ishte dorëzuar. Ne, na vjen turp kur na trajtojnë kështu dhe njerëzit këtu në Greqi, kanë si pyetje të parë pasi mësojnë për tim bir të zhdukur dhe të pyesin" Po shteti juaj, çfarë ka bërë për këtë gjë, çfarë ndihme dhe mbështetje ju ka dhënë".

Albana thotë se e vërteta është se është "përballur në këto nëntë muaj, pa pushim, vetëm me heshtje".

Duke u ndalur në përpjekjet që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen për gjetjen e rrëmbyesit dhe djalit të zhdukur, Albana thekson se rrëmbyesi, "është një kriminel që ka rrëmbyer një foshnje që nëse jeton ende, e shfrytëzon për nevojat e veta bastarde". Kurse shton se "ne kemi fatin e madh që na u ndodh foto e kriminelit".

Duke mos u mbajtur për asnjë çast nga ngashërimi, Albana shtron herë pas here pyetjen për djalin e saj 20 muajsh: Çdo të bëhet me Mateon tim?"

Albana dhe nëna e saj Teuta, duke cituar dhe pohimet që kanë marrë nga autoritetet në Greqi dhe nga OJF e ndryshme vendase, theksojnë se "është detyrë e shtetit shqiptar të hyjë në tratativa me palët dhe të bëjë të gjitha përpjekjet për gjetjen e vogëlushit". Nënë e bijë, mama dhe gjyshe e Mateos së vogël, i drejtohen sërish me një thirrje shtetit shqiptar: "Nga ana e shtetit shqiptar ne jemi realisht të braktisur, të vetmuar dhe pa përkrahje. Por ne duam t'i bëjmë një pyetje qeverisë shqiptare: "Pse i gjithë ky indiferentizëm për foshnjën tonë që është një fëmijë shqiptar? A nuk e mendoni vallë, sa turp i madh është për shtetin dhe vendin që jemi lindur dhe jemi rritur dhe që aq me mall e kujtojmë këtu në emigracionin tonë të detyruar? Në këtë pikë, Albana dhe Teuta ndjehen shumë të zhgënjyer ndaj nuk ngurrojnë të shprehen: "Sa turp për shtetin tonë dhe sa gjynah për ne që jemi shqiptarë". Duke pasur një kërkesë fare humane: "I bëj thirrje vendit tim, qeverisë së vendit tim që të bëhet e gjallë dhe të na ndihmojë në këtë gjëmë, më së paku, të përjetojnë hallin tonë dhe të na mbështesin në përpjekjet tona".

n.s/NOA

Mbijetesë për një qëllim të vetëm

Në banesën e familjes Dullia në Kukaki të Athinës, jetojnë në një shtëpi të vogël, Albana, nëna e Mateos, vëllai i saj dhe nëna e tyre, Teuta. Duke folur për agjencinë e lajmeve NOA, Teuta shprehet e pikëlluar për dhimbjen që po përjetojnë çdo ditë. "U bënë nëntë muaj që nuk e kam më djalin në prehër. Më mungon shumë. Vuaj për të, sikundër vuan ime bijë dhe im bir. Jemi të shkatërruar", - thotë ajo. Kurse e bija, Albana, nuk resht së qari për të birin: "Ne jemi gjallë vetëm sepse kemi akoma një shpresë që nuk duan të na shuhet: Djali duam të jetë gjallë dhe të na rikthehet në gjirin tonë".

Kur e pyesim cilat janë informacionet më të fundit për vogëlushin, shprehet pesimiste: "Unë e kuptoj që shteti grek ka bërë dhe po bën përpjekje për të gjetur djalin tonë apo për të mësuar për fatin e tij, por deri tani nuk kemi asgjë".

Albana dhe Teuta Dullia, pohojnë se "pas sensibilizimit të zhdukjes në rrëmbim të Mateos, nga agjencia e lajmeve NOA dhe më tej të të gjitha mediave shqiptare e po ashtu atyre greke, vihen re lëvizje dhe ne kemi rritur shpresat se mos fëmija ynë mund të gjendet i gjallë, ndonëse kemi shumë frikë se ai nuk jeton më". Konkretisht ajo tregon se kanë pasur shumë telefonata, mes tyre edhe të papëlqyera, por ka disa që i thonë se fëmija është gjallë. Por shtojnë se e kanë parë duke lypur në rrugët dalëse të Athinës. Gjithsesi, nuk është bërë e mundur me gjithë përpjekjet, që të gjenden gjymët e të voglit të zhdukur.

Gjyshja e Mateos, Teuta Dullia, pohon edhe se "pas sensibilizimit të ngjarjes së hidhur, Aida Shtino ka inkuadruar rastin e Mateos në qendër të emisionit të radhës "Njerëz të humbur", kurse shton se ‘sinqerisht nuk e kuptoj pse shteti ynë na qëndron kaq larg me gjithë ndihmën që i kemi kërkuar tash prej nëntë muajsh".

Teuta tregon se ka shkuar në ambasadën e Shqipërisë në Athinë ku ka kërkuar ndihmë por shton se ka marrë vetëm përcjellje me fjalë të thata: "Unë u tregova atë që kishte ndodhur dhe ata më përcollën me fjalët, ke bërë denoncim në polici, ne nuk kemi ç'të bëjmë më shumë". Teuta tregon se i ka bërë përshtypje një fakt tjetër: "Kur u lidhëm me ambasadën në Siri, na thanë: Pse autoritetet shqiptare, që kanë ambasadë në Egjipt dhe që mbulon Sirinë nuk lidhen me ne për të koordinuar punën".

"Buzëqeshja e fëmijës" dhe apeli i Albanës

Albana thotë se është mbështetur shumë psikologjikisht nga "To hamogelo tu pediu" (Buzëqeshja e fëmijës), një qendër për rastet e fëmijëve të humbur. Kurse ka një apel publik që thotë se do ta theksojë dhe nësër në "Sintagma", publikisht:

"Unë kam një thirrje të fortë për të gjithë ata njerëz që mund të dinë diçka për fatin e Mateos sim. I lutem të më ndihmojnë duke treguar çdo gjë që mund të dinë për të. I drejtohem veçanërisht atyre personave që e njihnin dhe kishin shoqëri me atë person që kur unë u kam kërkuar të më tregojnë ku u zhduk pasi rrëmbeu fëmijën, kanë ngurruar duke mbledhur buzët. Por unë i bëj një apel shtetit tim që të jetë prezent në këtë ngjarje. Shteti im nuk gjendet kërrkund ndaj dua që të më ndihmojë në këtë tmerr që na ka kapluar këtu në kurbet".

Letra e plotë dërguar z.Bamir Topi

Athinë, 23 nëntor 2008

I nderuar z.President,

Ju dëshirojmë suksese të mëtejshme në detyrën tuaj.

Unë jam Albana Dullia, e datëlindjes 6 nëntor 1975, e lindur në Korçë.

Jetoj me familjen, nënë dhe vëllanë, prej 15 vjetësh si emigrante me dokumente të rregullta në Greqi.

Ne banojmë në Athinë, Greqi.

Ju shkruaj për arsye të brengës sonë të madhe.

Më datën 7 shtator 2008, në orën 19.00, më rrëmbyen djalin tim njëmbëdhjetë muajsh, Mateo Dullia, i cili është shtetas shqiptar.

Djali im, është regjistruar në gjendjen civile të qytetit të Tiranës dhe mban pasaportë shqiptare.

Djalin tim Mateo e rrëmbeu babai i tij biologjik i cili nuk ia dha atësinë.

Pas përpjekjeve të policisë greke dhe vajtjes sime në ambasadën e Sirisë në Athinë, ne nuk kemi marrë asnjë informacion se ku gjendet djalin i rrëmbyer nga shtetasi Hasan Kerim, 35 vjeçar nga Siria, i cili ishte shtetas klandestin në Greqi.

Unë nuk e di nëse fëmija im jeton apo jo.

Ne nuk kemi asnjë lajm për fatin e tij dhe për këtë jemi shumë të shqetësuar.

Këto ditë unë kam takuar për të disatën herë ambasadorin e Shqipërisë në Greqi, z.Vili Minarolli, i cili më premtoi se do t'i bëjë një notë qeverisë së Sirisë.

Unë ju drejtohem ju me këtë letër, duke ju kërkuar të di se çfarë do të bëhet nga shteti shqiptar për fëmijën tim të rrëmbyer për të cilin nuk di në se jeton më apo jo.

Ju lutem të ndërhyni në shtetin sirian dhe në shtetin grek për të mësuar për djalin tim i cili po bëhen 80 ditë që është zhdukur.

Me respekt

Albana Dullia

Zhdukja e Mateos

Vogëlushi Mateo Dullia, u rrëmbye nga një shtetas sirian, më 7 shtator 2008 në Athinë, në zonën e Kukakit. Fëmija ishte vetëm njëmbëdhjetë muajsh kur iu mor nga krahët në ecje e sipër të ëmës nga shtetasi sirian i cili u zhduk në drejtim të paditur dhe që prej asaj dite që kanë kaluar 9 muaj, asgjë nuk dihet për fatin e tij.

Ditën që u rrëmbye, vogëlushi kishte të veshur, bluzë ngjyrë portokalli dhe jeshile si dhe pantallona po ashtu në ngjyrë portokalli, ndrysa mbante në këmbë, një palë këpucë ngjyrë bezhë.

Kërkimet e familjes Dullia dhe të afërmve e miqve të tyre, policisë dhe Qendrës kombëtare greke për fëmijët e zhdukur dhe dhunuar, kanë rezultuar të pasuksesshme.

Vogëlushi që nëse jeton ende, tani duhet të jetë 20 muajsh, Mateo Dullia, është 70 centimetra i gjatë dhe peshonte ditën e humbjes, dhjetë kilogramë. Ai ka flokë në ngjyrë gështenjë të hapur kurse ngjyrën e syve e ka të gjelbër.

Rrëmbyesi, siriani 35-vjeçar Hasan Kerim

Personi që identifikohet nga policia si autor i rrëmbimit të fëmijës, është Hasan Kerim, 35 vjeçar nga Siria, emigrant klandestin prej kohësh në Greqi. Vendbanimi i tij i fundit që i njihet është në zonën e Glifadhës në Athinë.

"Fëmija është rrëmbyer nga Hasan Kerim, 35 vjeç, shtetas sirian, emigrant i paligjshëm në Greqi", është deklarata zyrtare e lëshuar nga policia e Athinës.

"Hasan Kerim është i paligjshëm në Greqi. Ai është i gjatë 167 centimetra dhe ka peshë 60 kilogramë", - shtoi policia e kryeqytetit grek e cila theksoi se po investigon intensivisht për ngjarjen që ka sjellë prej afro 9 muajsh, trishtim të thellë në familjen Dullia.

FUND

KOMENTE