Vlorë, 24 maj/ NOA - Kandidatët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Vlorës Shkëlqim Selami dhe Besjan Pesha kanë zhvilluar një sërë takimesh me qytetar të komunitetit të Delvinës, Konispolit dhe Sarandës. Atje, ata theksuan se LSI do të shfuqizojë moratoriumin për mjetet e vogla lundruese.
Duke bashkëbiseduar me qytetarët e ndryshëm, kandidatët e LSI-së kanë folur nga afër mbi problemet e ndryshme që shqetësojnë banorët e këtyre zonave.
Ata shprehën angazhimin tyre se, LSI-ja nëpërmjet programit të saj të posaçëm për turizmin do zhvillojë këtë sektor tepër të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.
Duke shpalosur "Planin e Veprimit" Besjan Pesha garantoi të gjithë qytetarët e kësaj zone dhe shqiptarët, se duke votuar për LSI, do të votojmë për realizimin e projekteve më të bukura dhe më përrallore të zhvillimit të turizmit në Shqipëri.
Një ndër këta projekte është edhe bërja e një master-plani për shndërrimin e një gadishulli jashtëzakonisht të bukur, interesant dhe me potenciale të jashtëzakonshme turistike që është ai i Karaburunit nga një gadishull që sot shërben vetëm për kullota në një nga perlat e Mesdheut për të zhvilluar Turizmin.
Duke vazhduar më tej, Pesha ka bërë të ditur se, - Plani për Veprim i LSI synon të ofrojë perspektiva të reja për të gjithë shqiptarët, një dinamikë krejt ndryshe nga ajo aktualja për ndryshimin e vendit, e cila nuk mund të vijë përmes fjalëve, deklaratave, përmes fjalimeve, por vetëm përmes Kohës për Veprim.
"Ndaj dhe Plani ynë për Veprim, fillon pikërisht me punësimin dhe jo më kot ne e theksojmë çështjen e punësimit si çështjen themelore që ka sot vendi, që kanë sot shqiptarët dhe mbi të cilën do të ndërtohen të gjitha politikat shtetërore, qeverisëse, fiskale dhe arsimore", tha Pesha.
Sepse shqiptarët, - pohoi ai, - do të kenë mirëqenie vetëm duke u bazuar tek puna dhe tek djersa e tyre, vetëm në këtë mënyrë do të kemi rritje të prodhimit, do të kemi edhe rritje të ekonomisë dhe produkteve tona.
Gjithashtu duke folur për resurset mjaft të pasura të kësaj zone, Pesha tha se "është për të ardhur keq që në Sarandë sezoni turistik është mjaft i shkurtër, ndaj ne do punojmë që të kthejmë turizmin në një nga shtyllat kryesore të zhvillimit të fuqishëm të vendit dhe punësimit".
Në këtë kuadër Pesha, shprehu garanci për të gjithë qytetarët e kësaj zone që LSI-ja do të promovojë vlerat turistike specifik të Shqipërisë, dhe për këtë ai tha se, pas fitores Lëvizja Socialiste për Integrim do të shfuqizojë moratoriumin për mjetet e vogla lundruese.
e.l/NOA