English

Faqet e para të gazetave në Kosovë dhe analizë e titujve kryesorë 25 Maj 2009

Prishtinë, 25 Maj, NOA - Në këtë hapësirë gjendet një pasqyrë e titujve të gazetave në Kosovë, për ditën e Hënë, 25 Maj 2009. Ky është një shërbim që ofrohet me parapagim nga agjencia e Lajmeve NOA, në shqip, anglisht, italisht e greqisht.

Mundësia e parapagimit aktualisht ofrohet përmes abonimit dhe së shpejti, edhe përmes pagesës së shërbimit direkt me anë të kartës së kreditit.

Për t'u abonuar në këtë shërbim dhe për t'u pajisur me një emër përdoruesi dhe kodin, dërgoni një kërkesë në adresën e e-mail:Â info@noa.al:

Argument kryesor në të gjitha të përditshmet e Kosovës ka qenë ai për

Konferencën Islamike, e cila është paralajmëruar se pritet të miratojë një rezolutë për Kosovën. E përditshmja "Express", shkruan se "Konsensusi heq ftesën", ku Organizata e Konferencës Islamike voton të hënën një rezolutë për Kosovën. Me të nuk bëhet thirrje për njohje të pavarësisë, pasi që nuk pat konsensus. Rezoluta e ndryshuar tash vetëm i kërkon Sekretarit të Përgjithshëm të OIC që për zhvillimet në Kosovë t'i mbajë të informuara shtetet anëtare. Sipas kësaj gazete, Kosova ka bërë çmos të marrë pjesë në Samitin në Damask, por është refuzuar nga Siria.Â

Shkrim tjetër në Express është se si Qeveria e Serbisë investon në rrugën e Brezovicës. Ajo ka ndarë 15 mijë euro për 1 kilometër asfalt. Firma serbe "Magistrala" nga Brezovica ka fituar tenderin. Finalizimin e punës e kryen "Ekskavatori" nga Ferizaj. "Data këtë javë", është titulli tjetër në këtë të përditshme, ku sqaron se si presidenti do të takohet sot dhe nesër me drejtuesit e partive të vogla dhe të atyre minoritare. Një ditë më vonë, të mërkurën, ai mbledh prapë të gjithë drejtuesit e partive politike ku do t'u japë fund konsultimeve. Planet janë që këtë javë Sejdiu të dalë me datën konsensuale të mbajtjes së zgjedhjeve lokale.

Grupi i Kontaktit për Kosovën është mbledhur pas një kohe të gjatë - Në këtë temë është fokusuar e përditshmja "Express", duke nxjerrë në pah rolin e Rusisë në çështjen e Kosovës. Kështu, siç thekson gazeta, kthimi i Rusisë në tavolinat e Grupit të Kontaktit mund të jetë një ogur i mirë dhe dëshmi se politika e saj e bllokadës së pavarësisë së Kosovës nuk pati sukses. Gazeta thekson se Rusia në instancën e fundit, pas disa hapave të ndërmjetëm, do të pajtohet me realitetin e krijuar në Kosovë dhe me arkitekturën e re të sigurisë së rajonit, ku shteti i Kosovës duhet të jetë njëri nga gurët themeltarë. Ndryshe, siç ka vënë në dukje gazeta, vazhdimi i jetës së Grupit të Kontaktit është dëshmi e fortë se punët në rajon nuk janë kryer deri në fund dhe se proceset duhet përfunduar. Gazeta thekson me këtë rast se me gjasë ky ka qenë edhe qëllimi i vizitës së nënpresidentit amerikan, Xhozef Bajden, në rajon, që t'i bindë faktorët kryesorë, para së gjithash Serbinë bllokuese, në domosdonë e përfundimit të proceseve dhe mbylljen e konflikteve të ngrira. "Betejë e ashpër për Kosovën në Damaskë", është shkrimi kryesor në Koha Ditore. Sipas kësaj gazete, Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, nuk ka ngurruar që nga Athina të japë "lajmin" se në Damask nuk është pranuar propozimi i Arabisë Saudite, dhe se Rezolutës për Kosovën i janë hequr pjesët që i referohen pavarësisë. Mirëpo "lajmi" i Jeremiqit është hedhur poshtë si i pavërtetë nga autoritetet e Kosovës dhe nga ministri i Punëve të Jashtme i Shqipërisë, Lulzim Basha, i cili po merr pjesë në mbledhjen e Organizatës së Konferencës Islamike. E përditshmja "Koha Ditore" thekson se një betejë e ashpër është zhvilluar të shtunën dhe të dielën në Damask ndërmjet vendeve përkrahëse të pavarësisë së Kosovës dhe vendeve që mbështesin qëndrimin e Serbisë kundër pavarësisë, ndërkohë që autoritetet e Sirisë nuk kanë lejuar as Prishtinën e as Beogradin të marrin pjesë në Konferencën Islamike. Gazeta ka vënë në dukje se Rezoluta për Kosovën është hartuar nga Shqipëria, ndërsa i është lënë Arabisë Saudite që ta nxjerrë në votim para shteteve anëtare të Konferencës Islamike, për shkak të fuqisë dhe ndikimit që ka mbi shtetet tjera islamike. E përditshmja "Koha Ditore" thekson më tej se miratimi eventual i Rezolutës shton gjasat që në një afat të shkurtër vendimin për njohje të Kosovës ta marrin edhe shumica e vendeve tjera islamike. Por, burime të "Kohës Ditore" në Damask bëjnë të ditur se miratimi i Rezolutës, e cila pritet të hedhet në votim gjatë ditës së sotme, nuk nënkupton automatikisht njohje për pavarësinë e Kosovës, pasi, siç nënvizon gazeta, Organizata e Konferencës Islamike nuk ka mandat për t'u imponuar vendime vendeve anëtare të saj, por vetëm sugjeron dhe mund të përshpejtojë procesin e njohjes.

Zëri si shkrim kryesor ka kontrabandën në veri të Kosovës. Kontrabandistët serbë e shqiptarë një hap para politikës. Po ashtu kjo gazetë shkruaj për liderin e AAKsë, Ramush Haradinaj, i cili ka përsëritur se Kosova po qeveriset pa një planë Qeverisës. "Suksesi EULEX", është titulli kryesor në Epoka e Re. Sipas kësaj gazete misioni i BEsë në Kosovë është i suksesshëm, pasi ka arritur të ndalë kontrabandën në veri të vendit. "E kam kryer punën time në LDK", është shkrimi kryesor në Info Press, ku ministri i Pushtetit Lokalë Sadri Ferati, i cili mbanë edhe pozitën e Sekretarit teknikë në LDK, ka thënë se kjo parti po forcohet dhe se punën e madhe e ka kryer. "Asfalti i votave", është shkrimi tjetër në këtë të përditshme. Sipas Info Press, kryetari aktual i Prishtinës, Isa Mustafa është duke ndërtuar rrugë në mënyrë që ti bind qytetarët për ta votuar. Lajm shkruan për mosfunksionimin e Agjencisë Intelegjente të Kosovës. "Solo konsolidimi". Kosova Sot shkruan për festën e Kushtetutës, e cila pritet të mbahet më 15 qershor të këtij viti. Po ashtu kjo gazetë ka intervistuar nënkryetarin e LDKsë, Eqrem Kryeziu, i cili e ka pranuar se koalicioni me PDKnë e ka dëmtuar LDKnë. Ndërkaq, e përditshmja "Kosova sot" ka një shkrim lidhur me liberalizimin e vizave për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Gazeta thekson se Bashkimi Evropian duhet ta tregojë me vepra vullnetin pozitiv për të integruar vendet e rajonit ballkanik, që ende mbeten nën llupën e rreptë të monitoruesve evropianë. Në këtë kontekst, e përditshmja "Kosova sot" ka vënë në dukje se pavarësisht përpjekjeve të kosovarëve për t'u bërë pjesë e përfitueseve të liberalizimit të vizave, Kosova rrezikon të mbetet e fundit në këtë proces dhe të izolohet. Gazeta thekson nevojën e qartësimit të pozicionit të Kosovës dhe jo të krijohet një klimë e panevojshme frustrimi, por të nxitet një ecje e përbashkët rajonale, pa diskriminuar askënd.

Bota Sot shkruan për fushatën Elektorale të Sali Berishës, i cili është zotuar se nuk do të ndalet derisa ta bëjë Shqipërinë Evropiane.Â

e.l/NOA

KOMENTE