Kalimash, 25 maj, NOA - Sot pritet të hapet plotësisht tuneli i Kalimashit, vepra për të cilën qeveria ka dhënë fjalën se do të jetë gati brenda këtij muaji. Ajo përbën veprën infrastrukturore gjigande më të madhe të këtij lloji në vendin tonë.
Eshtë parashikuar që në ceremoninë e hapjes së tunelit të jenë të pranishëm mjaft të ftuar, mes tyre edhe vetë kryeministri Berisha dhe ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi.
Ky i fundit, gjatë inspektimeve në aksin rrugor Durrës-Kukës, kohëte fundit ka deklaruar se tunelet e Kalimashit, pritet të përfundojnë brenda muajit maj.
Segmenti Rrëshen-Kalimash është pjesë e autostradës Durrës-Morinë, 170 km e gjatë, e cila lidh bregun e Adriatikut me kufirin e Kosovës dhe rajonin. Ndërtimi i këtij segmenti rrugor është veçanërisht i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, sepse lidh tregjet e Europës Juglindore me rrugët kryesore ndërkombëtare detare, nëpërmjet portit të Adriatikut në Durrës. Si gjatë ndërtimit, edhe pas përfundimit, autostrada do të sjellë zhvillim ekonomik në zonën Verilindore të vendit, duke tërhequr sipërmarrje dhe turistë në terrenin malor të kësaj zone. "Bechtel-Enka" po punon përgjatë kilometrave të shumtë të autostradës.
n.e/NOA