Tiranë, 25 maj/ NOA - "Brenda një viti ne do të plotësojmë të gjitha standardet për liberalizimin e plotë të vizave mes Shqipërisë dhe BE-së".
Këtë premtim bëri sot kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta, i cili vlerësoi se Berisha nuk e arriti dot këtë synim, duke e akuzuar më tej për "demagogji në programin elektoral të PD-së dhe qeverisjes së saj".
Duke folur për raportin kritik të KE për liberalizimin e vizave, Meta tha se "mori goditje qeverisja klienteliste dhe e papërgjegjshme e Berishës".
"Bashkimi Evropian ka standarde të qarta. Edhe për çështjen e liberalizimit të vizave standardet që duhen plotësuar janë paralajmëruar me kohë", tha Meta.
Këtu, ai shtroi pyetjen: "A mund të besohet më një Kryeministër i tillë që ju premton shqiptarëve lëvizjen e lirë, kur Bashkimi Evropian na rendit si më të papërgatiturit në rajon për të plotësuar kushtet për liberalizimin e vizave".
"Nuk ka goditje më të qartë për mënyrën klienteliste, sesi është mësuar të punojë Berisha, sesa përgjigja e Bashkimit Evropian, që është çështje standardesh dhe jo çështje lobingjesh politike apo promovim interesash korruptive, sikurse nuk kanë munguar rastet e tilla me elementë edhe të komunitetit ndërkombëtar", - ka vlerësuar Meta.
Kurse premtoi këtu, se "ne garantojmë që brenda një viti do të plotësojmë të gjitha standardet për liberalizimin e plotë të vizave mes Shqipërisë dhe BE-së dhe deri në fund të këtij viti do të heqim vizat me të gjitha vendet e rajonit".
Meta është ndalur edhe në Konventën elektorale dy ditë më parë të Partisë Demokratike, që sipas tij, nuk ishte gjë tjetër veçse një përsëritje identike e premtimeve mashtruese elektorale të vitit 2005 nga Partia Demokratike dhe kryetari i saj z. Berisha. "Ndryshimi i vetëm këtë herë ishte rritja spekulative e përmasave të këtyre premtimeve, njësoj si interesat e piramidave mashtruese të vitit 96 - 97, të cilat sa më pranë falimentimit vinin, aq dhe më marramendëse i kishin interesat e tyre në rritje. Pra Sali Berishës ju deshën katër vjet për të kuptuar që 70 % e shqiptarëve kërkojnë më shumë punësim dhe të ardhura më të larta", - tha Meta.
e.l/NOA