English

KQZ rimerr në shqyrtim pas korrigjimeve listën e kandidatëve socialistë

Tiranë, 25 maj, NOA - Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të rimarrë ditën e sotme në shqyrtim listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste, pasi kjo e fundit pritet ta dorëzojë të korrigjuar atë.

Kjo listë u kthye mbrapsht nga anëtarët e KQZ-së ditën e shtunë, me argumentin se nuk plotësohet kushti i përfaqësimit brenda saj të nivelit 30% të grave dhe kjo gjë vihej re kryesisht tek qarku i Lezhës.

Ndërkaq, fundjava i ka shërbyer Partisë Socialiste për ta korrigjuar listën dhe të mundësojë kalimin e saj me çdo kusht ditën e sotme në mbledhjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas kodit zgjedhor, megjithë kohën e dhënë në dispozicion ndaj partive për korrigjime në lista, rregullimet duhen bërë dhe paraqitur në KQZ jo më vonë se 32 ditë nga data e zgjedhjeve.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve sqaron se kthimi mbrapsht për listat nuk ka patur asnjë motivim politik, por ai është kryer për të gjitha partitë të cilat nuk kanë plotësuar

standardet e vendosura nga kodi zgjedhor për to, e njëri prej tyre ka qenë edhe ai i përfaqësimit të femrave në listat e kandidatëve në nivelin ptej 30 %.

Sipas të dhënave, gjatë mbledhjeve të javës së kaluar, KQZ ka kthyer mbrapsht listat e 12 partive politike si LZHK, PDK, PBK, PS, etj.

n.e/NOA

KOMENTE