English

Njohja e Kosovës, të fshehtat e betejës së nëndheshme të diplomacisë shqiptare

Tiranë, 25 maj/ NOA - Një betejë e nëndheshme është zhvilluar prej më se tre muajsh ndërmjet diplomacisë shqiptare dhe asaj serbe, e cila ka përfunduar sot me fitoren deçizive të diplomacisë shqiptare.

Kjo e fundit ka arritur që në Damask të Sirisë, në Sesionin e 36-të të Këshillit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Organizatës së Konferencës Islamike, që mbylli punimet më dt. 25 maj, dhe në të cilin merr pjesë një delegacion i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, i kryesuar nga Ministri Lulzim Basha, të marrë konsensusin e 57 vendeve anëtare të Organizatës për një rezolutë në mbështetje të shtetit të pavarur të Kosovës.

Në seancën përmbyllëse të Ministerialit zhvilluar sot paradite, u miratua rezoluta e iniciuar nga Shqipëria, në të cilën evidentohet qartë se që nga shpallja e pavarësisë më datë 17 shkurt 2008, Republika e Kosovës ka bërë progres në ndërtimin e institucioneve demokratike, ka Kushtetutën e saj moderne, ka kontribuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon.

Më tej, kjo rezolutë, e cila është e para e miratuar nga OKI që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u bën thirrje vendeve anëtare të Organizatës dhe bashkësisë ndërkombëtare në përgjithësi, që të vazhdojnë të mbështesin forcimin e Kosovës dhe ekonomisë së saj.

Rezoluta ngarkon Sekretarin e Përgjithshëm të OKI-t që në sesionet e radhës të Ministrave të Jashtëm të Organizatës të raportojë mbi dinamikën e zhvillimeve në Kosovë, duke e vendosur kështu Kosovën në agjendën e përhershme të Organizatës së Konferencës Islamike.

Miratimi i kësaj rezolute me unanimitet dëshmon për një momentum të ri në marrëdhëniet e OKI-së me Kosovën, e cila vjen pas njohjes mjaft të rëndësishme të Kosovës nga Arabia Saudite para disa javëve dhe njohjes së saj nga Mbretëria e Bahrejnit dhe Unioni i Komoreve vetëm pak ditë më parë.

Burimet nga punimet e Sesionit të Damaskut bëjnë të ditur se pas këtij momentumi të ri, pritet një bum njohjesh të shtetit të ri Kosovës nga vendet e OKI-t.

Nga burime të besueshme diplomatike bëhet e ditur se diplomacia shqiptare ka qenë tepër aktive në funksion të miratimit të rezolutës për Kosovën.

Me të dërguarit e saj specialë ne Damask, në Xhedah dhe në disa vende të tjera të rëndësishme të OKI-t, Shqipëria është angazhuar prej më shumë se tre muajsh në një operacion të nëndheshëm diplomatik të përmasave të mëdha me qëllim miratimin e një rezolutë në mbështetje të shtetit të ri të Kosovës.

Mësohet se diplomacia shqiptare është markuar në vijimësi nga ajo serbe me qëllim bllokimin e kësaj iniciative. Kjo kulmoi me vizitën e 10 ditëve më parë të Ministrit të Jashtëm Jeremiç në Damask dhe takimeve të tij me autoritetet më të larta të Sirisë, e cila mbante presidencën e radhës së OKI-t.

Jeremiç ka kërkuar bllokimin e rezolutës dhe pjesëmarrjen e Serbisë me të drejtën e fjalës, duke pretenduar madje edhe marrjen e statusit të vëzhguesit.

Edhe një herë janë vënë në lëvizje mekanizmat e dy diplomacive, të Tiranës dhe Beogradit, të cilat kanë lobuar ethshëm në drejtime krejtësisht të kundërta për të marrë mbështetjen e anëtarëve të OKI-t.

Burimet diplomatike janë tepër të rezervuara për të dhënë detajet e kësaj faze vendimtare të betejës diplomatike. Por një gjë është e sigurt: Jeremiç dhe delegacioni serb nuk ka qenë të pranishëm në Sesionin e 36-të të Ministrave të Jashtëm të OKI-t dhe rezoluta në mbështetje të shtetit të pavarur të Kosovës është miratuar sot në unanimitet të plotë nga 57 vendet anëtare të Organizatës.

KOMENTE
  • Prizrenasi 22:32 - 02 Prill 2011
    ju jemi mirnjohes per gjithqka qe keni bere per Kosoven dhe ju falenderoj nga zemra. Gjith te mirat...