English

PS, Minxhozi në Dars të Dibrës: Shkruhet gabim emrin i fshatit në kartat e identiteti

Dibër, 25 maj NOA - Kandidati për deputet i Partisë Socialiste në Qarkun e Dibrës, Qemal Minxhozi, ka qenë në fshatin Dars, për të denoncuar shqetësimin e banorëve, në lidhje me gabimin që është bërë në kartat e identitetit.

"Kemi të bëjmë me një gabim, ku emri i fshatit është shkruar gabim, ç'ka rrezikon pjesëmarrjen e votuesve në zgjedhje" u shpreh Minxhozi.

Sipas tij, janë qindra banorë, të cilëve emri i fshatit në kartën e identitetit është shkruar gabim dhe për këtë, nevojitet që ato të ndryshohen në një kohë sa më të shpejtë. "Ndodhem në fshatin Dars, ku ka një problem shumë shqetësues, që është dhënia e kartave të identitetit, jo me emrin korrekt të fshatit. Në vend të fshatit Dars shkruhet Darse. Janë qindra vetë që kanë marrë kartë identiteti të gabuar dhe më duket paradoksale që bashkia nuk i pajis edhe njëherë banorët me emrin korrekt të fshatit e ju thotë atyre nëse do riaplikoni, duhet të paguani 12 mijë lekë. Kjo situatë duhet të ndryshojë menjëherë, sepse cenon rëndë procesin e zgjedhjeve në këtë komunë, në këtë bashki." tha më tej Minxhozi.

"Gjatë prodhimit të kartave të identitetit të gjithë personat që kanë aplikuar nga fshati jonë, është bërë një gabim teknik, një gabim gramatikor. Fshati Dars tek fjala fshatit Dars është shtuar një e. Mendoj që duhet të përsëritet nga e para dhe këtë kosto duhet ta paguaj qeveria" u shpreh një banor i fshatit.

k.k/NOA

KOMENTE