Tiranë, 25 maj/ NOA - Jeta e një burri 56-vjeçar ka marrë fund në mënyrë tragjike kur një makinë e përfshiu nën rrota dhe drejtuesi i saj menjëherë më pas u largua nga vendngjarja duke mos i dhënë ndihmën e parë viktimës së tij.
Viktima është Skënder Koka, 56 vjeçar, lindur në Pukë dhe banues në Kombinat kurse autor i dyshuar i aksidentit, Idajet Sefa, 20 vjeç, lindur në Dibër dhe banues Tiranë.
Burime nga policia e Qarkullimit Rrugor, thanë sot për agjencinë e lajmeve NOA, se ngjarja ka ndodhur në orën 22.40 të mbrëmjes së djeshme, në Rrugën e Kavajës.
Djali 20-vjeçar Idajet Sefa, ishte duke drejtuar automjetin veturë tip "Wolksvagen", me targa TR 6185 E dhe po udhëtonte në Rrugën e Kavajës, me drejtim lëvizje Tiranë- Kombinat.
Në një moment, teksa ndodhej pranë firmës "AML", në "Misto Mame", ai ka aksidentuar me pasojë vdekjen, këmbësorin 56-vjeçar Skënder Koka.
I aksidentuari në momentin e aksidentit ishte duke punuar në pastrimin e rrugës. Drejtuesi i automjetit pas aksidentit është larguar nga vendi i ngjarjes, duke lënë automjetin në vendin ku ndodhi tragjedia.
Ai është kapur nga shërbimet e Komisariatit Nr.6, dhe më pas është dorëzuar në Komisariat ku specialistët e Hetimit të Aksidenteve, iu komunikua arrestimi në flagrancë.
Policia tha se u kryen veprimet proçeduriale dhe materialet do t'i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".
a.k/NOA