Tiranë, 26 maj/ NOA - Ambasada e Italisë në Tiranë nisi sot një seminar dyditor në Tiranë, me temë "Instrumenti i Para-aderimit në Bashkimin Evropian dhe Kooperacioni për Zhvillim mes Shqipërisë dhe Italisë".
Zyra e Kooperacionit për Zhvillim në ambasadën e Italisë në Tiranë, tha sot për agjencinë e lajmeve NOA, se seminari synon të përcjellë një informacion të rëndësishëm për mundësitë që ofron Programi i Bashkimit Evropian Instrument of Pre-Acession (IPA) si dhe për mundësitë e bashkëpunimit mes subjekteve italiane dhe shqiptare, në mënyrë të veçantë për bashkëpunimin mes institucioneve lokale.
Në këtë mënyrë vendosen forma të reja bashkëpunimi mes Italisë dhe Shqipërisë me qëllim mbështetjen e procesit të integrimit evropian dhe rritjen e aftësisë së shqiptarëve në programimin e ndërhyrjeve për zhvillim koherent me Programin IPA.
Në ditën e parë të seminarit, u paraqitën fjalët përshëndetëse të Zëvendëskryeministrit, Genc Pollo, Ambasadorit të Italisë në Tiranë, Saba D'Elia dhe zëvendës-ministrit të Integrimit Evropian, Albert Gajo.
Më pas pati ndërhyrje të Përfaqësuesve të Delegacionit të Komisionit Evropian, të Rajonit të Abrucos dhe Rajonit të Pulias, këta, në cilësinë e eksponentëve të Komiteteve të administrimit të Programeve përkatëse të Kooperimit Ndër-kufitar IPA Adriatico e Interreg Italia-Albania).
Department of Strategy and Donor Coordination i Këshillit të Ministrave dhe Kooperacioni Italian për Zhvillim, kanë në këtë seminar, rolin e moderatorit.
Gjatë ditës së parë të seminarit, me karakter institucional, është diskutuar për tema të rëndësishme të integrimit evropian si dhe për strategjitë e zhvillimit që lidhen me to.
Ndërkohë nesër paradite, pritet të diskutohet për thellimin teknik dhe operativ të gjendjes aktuale të procedurave të Programit IPA bashkë me mundësitë që rrjedhin nga shembuj të partneritetit tashmë ekzistuese, nëpërmjet fokusimit të tematikave në sektorë strategjikë si Transportet, Ambjenti, Edukimi dhe zhvillimi i Sektorit Privat.
Gjatë kësaj dite do të ketë dhe ndërhyrje të Delegacionit të Komisionit Evropian si dhe të Ministrive shqiptare, direkt të interesuara.
Po nesër, pas mesdite, do të zhvillohet dhe prezantimi i Linjës së Kreditit për Ndërmarrjet e Mesme dhe të Vogla Shqiptare, që së fundi është realizuar falë një financimi të Kooperacionit për Zhvillim të Ministrisë së Punëve të Jashtme Italiane.
Do të paraqiten gjithashtu mundësitë dhe mënyrat për shfrytëzimin e burimeve të vëna në dispozicion të këtij programi nëpërmjet sistemit financiar shqiptar.
e.l/NOA